Shqiperia

“Shengeni rajonal”, Rama përballë Hotit: Do çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia! Iku koha e mureve, të shfrytëzojmë momentin

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëri dhe Kosovë, kryeministri Edi Rama është ndalur dhe te “shengeni rajonal”.

Mes të tjerash, Rama deklaroi se “Zgjerimi dhe integrimi i tregjeve në rajon nuk sjell asgjë të keqe, përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe mundësi për paqe apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia”.

Më tej, Rama vijoi se bashkëpunimi rajonal do t’i shërbejë rinisë shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e kudo qoftë. Sipas tij, projekti i të rinjve është projekti i daljes përfundimtare nga kurthi i historisë, që do të krijojë më shumë frymëmarrje dhe mundësi.

“Projekti i Shengenit rajonal është projekti i rinisë shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e kudo qoftë. Është projekti i të gjithë atyre që ende sot janë në kopsht, në shkolla fillore, në një moshë pa të drejtë vote, për të cilët është përgjegjësia jonë e madhe të vendosim. Është projekti i të rinjve, sepse është projekti i daljes përfundimtare nga kurthi i historisë dhe spostimit tonë në një hapësirë më të madhe, që do na krijojë të gjithëve më shumë frymëmarrje dhe mundësi. Do ta kthejë këtë rajon nga një vrimë e zezë në perceptimin e të tjerëve në një zonë atraksionesh dhe mundësish për investime, por edhe do të kryejë një mbështetje të madhe për të gjithë për integrimin përfundimtar në BE. Nuk duhet të jetojmë me iluzione, duhet të jetojmë me realitetin dhe ta shohim atë me sytë e të vegjëlve. Besoj se bashkëpunimi ynë në këtë drejtim sot është i hapur. Koha e mureve ka kaluar dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment, duke i kryer një e nga një të gjitha detyrat”, theksoi kryeministri./BW

OPINIONE

INTERVISTA