Sherr në selinë e PSD-së së Tom Doshit në Tiranë – thyhet xhami, dyshohet për përdorim arme zjarri

Një sherr mes disa të rinjve është regjistruar të martën para zyrës së Partisë Social Demokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, fasada prej xhami e zyrës është konstatuar e thyer, ndërsa në vendngjarje janë gjetur dy plumba të pa shpërthyer. Mediat raportojnë se disa persona kanë sulmuar godinën e PSD-së, përpara se të përplaseshin fizikisht me njëri-tjetrin. Dyshohet gjithashtu se është qëlluar me armë zjarri.

Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim Arjan Telhallari dhe djali i tij, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në incident.

Njoftimi i Policisë së Tiranës

“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.

Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur.

Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.”/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne