Sherri te ‘Petro Nini’, MAS zbardh ngjarjen: Ja çfarë ka ndodhur

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar lidhur me sherrin e ndodhur te gjimnazi Petro Nini’, paraditen e sotme.

MAS bën me dije se “rreth orës 9.30 minuta të ditës së sotme në ambientet e jashtme të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë ka ndodhur një konflikt ndërmjet nxënësve të këtij gjimnazi, S.N dhe S. Ll.

Në konfliktin midis të rinjve është përfshirë edhe një nxënës i tretë me iniciale F.T. Sipas të dhënave të siguruara nga drejtoria e shkollës “Petro Nini Luarasi”, bëhet me dije se konflikti midis të rinjve ka ndodhur për motive të dobëta dhe nuk ka lidhje me procesin mësimor.

Pas ngjarjes, nxënësi me iniciale S. Ll. është transportuar në Spitalin e Traumës për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Drejtoria e shkollës ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për hetim të mëtejshëm.

Pas konfliktit midis dy nxënësve, drejtoria e shkollës “Petro Nini Luarasi” mblodhi komisionin e disiplinës, i cili, në përputhje me aktet nënligjore, pasi analizoi ngjarjen e ndodhur në ambientet e jashtme të shkollës, mori masa disiplinore për nxënësit e përfshirë në konflikt”.

Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon ashpër dhunën midis të rinjve dhe mbështet autoritetet përkatëse të hetojnë ngjarjen dhe të zbardhin motivet që çuan në konfliktin midis nxënësve.

Gjithashtu, MAS fton nxënësit, mësuesit dhe prindërit të bashkëpunojnë në parandalimin e sjelljeve të dhunshme në ambientet e shkollës dhe jashtë saj.

Ministria e Arsimit dhe Sportit thekson në njoftim se, “dhuna nuk ka vend në shkollat tona dhe se ajo është thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne