Shifrat/ Kanabisi në Shqipëri u shtua, kokaina nga Amerika Latine në Durrës

“Plantacione të vogla të shpërndara në zona veçanërisht të thepisura ose të vështira për t u mbikqyrur, për shembull në zonat përballë aeroportit të Rinasit”. Me këtë fjali përshkruhet përpjekja e kultivuesve të kanabisit në Shqipëri sipas raportit vjetor të drejtorisë së antidrogës në Itali për vitin 2025. Aty përshkruhet një hartë e kultivimit të kanabisit në vendin tonë, që tashmë është zhvendosur në zona gjithnjë e më të paarritshme dhe më të vështira për t’u goditur. Raporti, që analizon kriminalitetin e organizuar të pranishëm në Itali dhe lidhjet e tij me rrjete ndërkombëtare, e paraqet Shqipërinë si një nyje funksionale të trafikut europian të drogës, por që është në evoluim të vazhdueshëm.

Në vlerësimin për rolin e grupeve kriminale shqiptare, dokumenti është po aq i drejtpërdrejtë. Guardia di Finanza shkruan se “kriminaliteti i prejardhjes shqiptare, gjatë viteve, ka evoluar strategjitë e veta drejt formave delinkuenciale më të kualifikuara, të karakterizuara nga transnacionaliteti”, duke i konsideruar organizatat shqiptare si aktorë të ngjashëm me strukturat mafioze italiane.

Është brenda këtij konteksti të konsoliduar të kriminalitetit shqiptar që raporti ndalet te Shqipëria si territor prodhues i kanabisit. Vendi cilësohet si “një kryqëzim strategjik përgjatë rrugës ballkanike për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike”dhe si “vend i prekur nga kultivimi i kanabisit për prodhimin e marijuanës, të destinuar si për tregun lokal, ashtu edhe për eksportin drejt Bashkimit Europian”.

Në vitin 2024 janë kryer 185 orë fluturimi, me qëllim identifikimin e parcelave të kultivimit që më pas iu nënshtruan asgjësimit nga autoritetet shqiptare.

Sasitë e kanabisit të zbuluar vit pas viti në territorin e Shqipërisë nga fluturimet me avion
Sasitë e kanabisit të zbuluar vit pas viti në territorin e Shqipërisë nga fluturimet me avion

Të dhënat e raportit e bëjnë të qartë se kultivimi ka pësuar një ngritje të vazhdueshme. Mjafton të krahasohet viti2018 kur u evidentuan 27 plantacionedhe u shkatërruan 675 bimë në 8 543 metra katrorë.

Por pesë vjet më vonë, në 2023, Guardia di Finanza raportoi 1 793 plantacione, 108 282 bimë të asgjësuara dhe 493 376 metra katrorë sipërfaqe të identifikuar.

Kjo do të thotë se brenda një periudhe pesëvjeçare janë evidentuar rreth 66 herëmë shumë plantacione, 160 herë më shumë bimë dhe gati 58 herë më shumë sipërfaqe e kultivuar.

Për vitin 2024 u konfirmuan si vatra të kultivimit 595 plantacione, ndërsa numri i bimëve të shkatërruara arriti në 109 104, duke shënuar një rritje prej 0.75 për qind krahasuar me vitin pararendës. Kjo ndodh në një kohë kur numri i misioneve dhe orëve të fluturimit mbetet pothuajse i qëndrueshëm, çka tregon se rrjetet kriminale po shpërndajnë kultivimin në forma më të fshehta dhe më të vështira për t u goditur.

Dokumenti flet për një zhvendosje gjeografike nga jug-u drejt pjesës qendrore dhe veriore të vendit, për hipotezën e delokalizimit të kultivimit në vendet fqinje dhe për të ashtuquajturin “efekt balonë”, pra orientimin e një pjese të grupeve kriminale shqiptare drejt heroinës dhe kokainës, të mbështetur nga disa sekuestrime të kohëve të fundit në portin e Durrësit.

Në raport, Shqipëria shfaqet njëherësh si terren i kultivimit të kanabisit, por edhe si pikë kalimi drogave të forta, tw heroinws dhe kokainws. Ose siç shkruan raporti, organizatat shqiptare funksionojnw prej vitesh si “agjenci shërbimesh” për trafikun europian të drogës. Roli i grupeve shqiptare përshkruhet si i konsoliduar, transnacional dhe thellësisht i integruar në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

Sipas raportit, “organizatat kriminale shqiptare, duke u modeluar sipas sistemeve tipike të komponenteve mafioze, kanë fituar një peshë që u lejon të konsiderohen broker të besueshëm dhe të vëmendshëm”,duke i bërë ato aktorë kyç për grupet italiane dhe europiane.

Në dokument thuhet se këto struktura kanë ngritur një rrjet funksional me furnitorët e Amerikës Latine, gjë që i ka zhvendosur në një rol të ri, shumë më të rëndësishëm se më parë. Raporti nënvizon se “formacionet shqiptare mbajnë kontakte të vazhdueshme me kartelët kolumbianë, për blerjen e sasive të mëdha të kokainës drejtpërdrejt në vendet e prodhimit”, duke krijuar një kanal të drejtpërdrejtë importi në Europë.

Këto grupe, të pajisura me mjete komunikimi të koduara, operojnë përmes një strukture të fragmentuar me rrathë, që u jep fleksibilitet dhe siguri, ku bërthama drejtuese përbëhet zakonisht nga 2 ose 3 individë me lidhje familjare, ndërsa rrethi i dytë dhe i tretë përfshin bashkëpunëtorë të zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe komunitete të shpërndara në disa shtete europiane.

Raporti e lidh drejtpërdrejt rolin e grupeve shqiptare në trafikun e kokainës me portet kyçe të Europës Veriore, ku ata janë tashmë të pozicionuar në nivelet më të larta të logjistikës. Në dokument thuhet se “shqiptarët kanë vendosur referentët e tyre në Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Holandë dhe Francë, ku menaxhojnë raportet me emisaret e grupeve sudamerikane dhe marrin pjesë në depozitimin e kokainës në portet holandeze dhe belge, e destinuar për tregun europian”, çka konfirmon rolin e tyre të dyfishtë si importues dhe shpërndarës.

Po aq i rëndësishëm është konstatimi i Guardia di Finanza për përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të territorit shqiptar si pikë tranziti për kokainën e ardhur nga Amerika Latine. Sipas raportit, “hipoteza e “efektit balonë”… gjen mbështetje në disa sekuestrime të kryera në portin e Durrësit, veçanërisht ngarkesa kokaine të ardhura nga vendet e Amerikës Latine brenda kontejnerëve”, duke përmendur rastet kur frutat ekzotike janë përdorur si mall kamuflimi.

Në këtë panoramë, raporti i Guardia di Finanza e vendos kriminalitetin shqiptar në një kategori më të avancuar të trafikut ndërkombëtar, me një prani të fortë në Italinë veriore dhe atë jugore dhe me aftësi të provuara bashkëpunimi me grupet historike mafioze të Puglias dhe ‘Ndranghetës./Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne