Në vitin 2022 u përurua Parkut Industrial në Kuçovë, një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kostoja, bashkë me projektimin, ndërtimin dhe mbikëqyrjen shkoi në mbi 2 milionë euro. Por, vetëm 2 vite më pas, një pjesë e mirë e investimit u shkatërrua. Pista e tartarit për vrap dhe disa pedonale u prishën. Disa ditë më parë, emisioni “Fiks Fare”, transmetoi një video, ku pjesa pedonale ishte me gropa. Copa të pjesëve të gomuara ishin hequr nga projekti.
Fiks Fare shfletoi dokumentet e tenderit, ku projektimi filloi në vitin 2018. Në fund të atij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi procedurën me objekt “Rikualifikim i Parkut Industrial Kuçovë”, me kohëzgjatje brenda 12 muajve nga data e fillimit të punimeve. Fondi limit i tenderit ishte 180 milionë lekë, por duke i shtuar edhe TVSH-në, projektimin dhe mbikëqyrjen, fondi shkoi në mbi 2 milionë euro. Parku përfundoi së ndërtuari në vitin 2022, ku kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ka organizuar edhe koncerte në atë territor.
Por, punimet e dobëta apo mos mirëmbajtja sollën shkatërrimin e trotuareve, pistës së vrapimit me tartar apo edhe të koshave të plehrave. Gazetarët e Fiks Fare biseduan me disa banorë të qytetit të Kuçovës, të cilët ia hedhin fajin punimeve të dobëta. “Më parë u prish sesa u përurua. U bë gropa-gropa. Pasi e denoncuat ju, erdhën për ta rregulluar. Faleminderit prej jush” thotë një banorë. Ndërkohë, të tjerë pohojnë se pjesa e tartarit u hodh në nxehtësi dhe s’u lidh mirë me betonin poshtë. Banorët ankohen edhe për koshat e mbeturinave, mungesës së mirëmbajtjes nga bashkia.
Pas denoncimit të “Fiks Fare”, punonjës të firmës që ndërtoi atë park, shkuan dhe kanë gërryer tartarin e pistës së vrapimit. “Kemi 3 ditë që kemi ardhur” thotë njëri prej tyre. Fiksi bisedoi edhe me përgjegjësin, Astrit Daja, i cili thotë se është përfaqësues i firmës “Besta”. Ai pohon se firma është brenda garancisë prej 5% dhe ka ardhur me iniciativën e vetë. “Pamë videot në televizor dhe erdhëm për ta rregulluar” thotë përgjegjësi. Fiksi e pyeti se përse u prish, ende pa mbushur 2 vite nga përurimi. Ai përgjigjet se “ka defekte edhe në ndërtim”, ndërsa shton se “s’ka pasur mirëmbajtje nga Bashkia e Kuçovës”. Sipas tij, riparimet do të bëhen me paratë e firmës.
Fiksi bisedoi edhe me Drejtorin e Shërbimeve në Bashkinë Kuçovë, Sybi Shehu. Ai thotë se firma është brenda garancisë dhe se tenderin e ka bërë Fondi Shqiptar i Zhvillimit. “Deri tani ka qenë në garanci sipas kushteve që ka Fondi Shqiptar i Zhvillimit” pohon ai, teksa gazetarët e pyesin se kryetari bashkë me punonjës të bashkisë kanë prerë shirita dhe kanë bërë festa në atë park. “Ne marrim në dorëzim dhe quhet marrje paraprake, jo përfundimtare. Dhe marrja paraprake kur dorëzohen punimet dhe bëhet prerja e shiritit të inaugurimit dhe quhet e marr në dorëzim në mënyrë paraprake. Të gjitha punimet për të garantuar standardet e tyre kanë një garanci dhe afat kohor dy vjet. Do të thotë që kjo është përgjegjësi e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për objektin” pohon ai.
Më tej shton se bashkia e mirëmban vetëm nëse dikush thyen diçka. Gazetarët e pyesin nëse dëmtimet në atë park janë bërë nga dora e njeriut apo punime të dobëta. “Tani ato janë prishur dmth ndoshta për defekte të ndryshme të cilat s’mund ti argumentoj unë. Janë inxhinierët, supervizorët apo kolaudatorët të cilët e përcaktojnë. Unë them që kjo nuk i ka rezistuar garancisë së punimeve. Janë të firmës, e ka Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sepse i kemi bërë ne shkresë atyre për disa probleme, të cilësisë së punimeve në Parkun e Qytetit” përfundon ai.
Ndërkohë një problem i banorëve të Kuçovës janë edhe qentë endacakë, të cilët gjenden me dhjetëra në ambientet e parkut. Madje, banorë të ndryshëm kanë dërguar video të pranisë së qenve në atë park, paradite, pasdite, në darkë, te lodrat apo në fushat sportive. Por, edhe në momentin që grupi i xhirimit shkoi në atë park në orën 10.00 të paradites, sërish ndodheshin dhjetëra kafshë, nën hijen e lodrave për fëmijët. “Ka gjithmonë qenë. Janë problem, pasi rrezikohet jeta e fëmijëve. Nëse s’ka njerëz, ka qenë” pohon një banor.
Fiksi e pyeti Drejtorin e Shërbimeve, Sybi Shehu, për këtë problematikë. “Ky problemi i qenve është një problem shqetësues për të gjitha bashkitë dhe për Bashkinë Kuçovë. Ne kemi bërë një prokurim publik për të garantuar fondin dhe trajtimin ligjor të kafshëve të rrugës. Por, kjo procedurë na dështoi për arsye të ankesave dhe presim ta përsërisim dhe të zbatojmë procedurat ligjore për t’i trajtuar sipas ligjit” pohon ai, teksa gazetarët e pyesin nëse ka ndonjë afat. “Nuk e di, ajo mund të përsëritet prapë nga ankesat që mund të kenë operatorët që konkurrojnë. S’mund të flas dot” përfundon ai./topchannel