Behar Kaceli
Disa gjëra që si dimë për Shkodrën.
Rrëfimi i Ali Emirit.
Pas falënderimit ndaj Zotit, po filloj rrëfimin tim: Në fillim të vitit 1314/1896, isha defterdar i vilajetit të Erzurumit. Papritur, nga Stambolli mora një telegram, ku me urdhër perandorak emërohem në inspektoratin e financave të vilajeteve të Janinës dhe Shkodrës me një pagë prej 7,500 gurushësh (grosh), dhe urdhëohesha që të autorizoja një zëvendës në postin tim.
Brenda disa ditësh u nis nga Erzurumi për në Stamboll ku qëndrova për pesëmbëdhjetë ditë, nga aty shkova në Janinë. Pas një kohe, udhëtova përmes Leskovikut, Përmetit, Beratit, Lushnjës, Kavajës deri në Durrës, dhe nga Durrësi me anije arrita në Shkodër.
Unë i gjeta popullsinë e kësaj ane shumë të zgjuar, të aftë, besnike ndaj Shtetit të Madh dhe shumë të guximshëm. Megjithatë, as ata nuk më thanë se këtu ekzistonte një letërsi e vjetër osmane dhe as unë nuk e ndjeva këtë. Pas disa lëvizjeve në vilajetin e Shkodrës pas gati tre muajsh, u ktheva sërish në Janinë. Pas një kohe që kalova atje dhe në rrethinat e saj, erdha për herë të dytë në Shkodër. Rastësisht, disa nga personalitetet e ardhura për vizitë nga ulemat e Shkodrës folën arabisht. Kur i pyeta se si e kanë mësuar kaq shpejt, ata më thanë: “Ne, përveç turqishtes, dimë dhe flasim edhe arabisht dhe persisht edhe të parët tanë gjithashtu”. Dhe me të vërtetë, disa prej tyre filluan të flasin shumë rrjedhshëm persisht. Ndërkohë që habia ime rritej, e ktheva fjalën në drejtim të letërsisë osmane.
Ata më thanë se në mesin e të parëve të tyre ka pasur shumë mjeshtër të poezisë dhe madje disa prej tyre kanë shkruar divane (vepra poetike), dhe filluan të përmendnin poezitë dhe biografitë e tyre. Megjithatë, deri atëherë, megjithëse kisha lexuar shumë libra dhe histori, nuk kisha hasur asnjë individ nga Shkodra që të kishte shkruar poezi osmane, madje as vepa e as emra nuk kisha hasur. Fillova të shkruaj emrat e poetëve që më thanë dhe kërkova prej tyre biografitë dhe veprat e tyre. Ata, jo vetëm që më thanë një numër të madh emra poetësh, por filluan edhe të më sjellin divanet dhe veprat e tyre.
Kur fillova të grumbulloj dhe të shkruaj për materialin që gjeta në Shkodër, ajo që më habiti më shumë ishte se edhe disa prej atyre që nuk dinin të shkruanin e të lexonin u afruan dhe më thanë: ‘Zotëri, gjyshi im ka qenë poet, ja libri ose koleksioni i tij, merreni dhe lexojeni, regjistrojeni edhe gjyshin tim si mënyrë për të marrë rahmet edhe ai”. Dhoma ime mori formën e një biblioteke. Duke pasur parasysh se nuk mund të qëndroja më shumë se një muaj, fillova të punoj ditë e natë. Megjithatë, u shfaq një mosmarrëveshje e çuditshme midis meje dhe disa prej tyre. Ata thoshin: “Zotëri, merreni, është për ju; mos e ktheni, ne kemi kopje”. Unë u thosha: “Faleminderit, por çmojeni sa doni për vlerën dhe pastaj do ta marr”. Por, ngaqë ishin shumë fisnik, nuk donin të shisnin. Unë, nga ana ime, nuk doja të shkelja rregullin tim profesional, që nuk marr asgjë pa pagesë. Në fund të fundit, nuk ishte e mundur t’u imponoja pagesë, unë nuk shkova më larg se sa riprodhimi i materialit. Ah, ndoshta disa njerëz nuk do të besojnë fjalët e mia. Ata që nuk duan të besojnë, të paktën njëherë të shohin gjendjen e atyre vendeve, pastërtinë e ndërgjegjes dhe jetën e atyre njerëzve; edhe nëse nuk besojnë më pas, do të kuptojnë atë që po them.
Disa njerëz të mençur që u konsultova dhe panë kërkimet e mia mbi poetët e Shkodrës, më thanë se do të gjeja një numër të madh poetësh jo vetëm në Shkodër, por edhe në kazatë Krujës dhe Tiranës, dhe me të vërtetë kështu ishte. Përpjekja ime për studimin e poetëve osmanë nisi gjatë vizitës sime të fundit në Shkodër. Megjithatë, nëse do të kisha pasur informacion gjatë vizitës sime të mëparshme, ose nëse do të kthehesha edhe një herë tjetër pas kësaj përpjekjeje, padyshim që do të kisha gjetur shumë më tepër.
Materiali që gjeta është rezultat i vetëm tre muajsh udhëtimi dhe qëndrimi në Shkodër dhe rrethinat e saj. Megjithatë, rastisa kaq shumë poetë me divane, kaq shkrime të fuqishme dhe kaq shumë përjetime sociale në poezi, saqë u habita shumë. Shqiptarët, në fushën e letërsisë osmane, kishin përparuar në një nivel që nuk i lëshonin vendin asnjë vendi tjetër të Perandorisë Osmane.
Duke qenë se kjo ishte diçka që nuk e dija dhe nuk e kisha hasur më parë, e gjeta të përshtatshme që t’i jap librit tim titullin: ‘Një Thesar që sapo është shfaqur në Botën e Letërsisë Osmane dhe Poetët Osmanë të Vilajetit të Shkodrës’.
……Dhe prej Allahut vjen ndihma dhe suksesi.
Ali Emiri./fb















