Shkup – Kurset e gjuhës turke vazhdojnë edhe gjatë verës

Instituti “Yunus Emre” në Shkup gjatë periudhës verore do të organizojë kurse të përshpejtuara dhe normale në gjuhën turke, aplikimet për të cilat mund të bëhen deri më 29 qershor.

Në një njoftim nga Instituti Yunus Emre – Shkup thuhet se përveç kurseve ekzistuese në gjuhën turke, gjatë periudhës verore do të organizohen edhe kurse të tjera të përshpejtuara dhe normale.

Pasi bëhet e ditur se Instituti synon mësimin e gjuhës turke, zhvillimin e saj, njohjen e kulturës dhe artit turk, si dhe të punohet në institucionet turke dhe se kurset e ofruara nga Institucioni ofrojnë mundësi të mëdha, në njoftim thuhet se instituti ofron mësimin e turqishtes për të gjithë, veçanërisht për punonjësit e institucioneve zyrtare në Maqedoni.

“Kurset tona vazhdojnë në Shkup, në degën tonë në Shtip si dhe në fshatin Lubin. Vazhdojnë punimet tona për të zhvilluar kurse të turqishtes dhe gjuhën osmane në Ohër. Së shpejti do të fillojmë edhe atje. Këtë verë do të organizojmë kurse të turqishtes edhe për Presidencën e Maqedonisë, MIA, Ministrinë e Brendshme dhe disa institucione të tjera”, potencohet në njoftim.

Në njoftim thuhet se kurset e gjuhës turke të përshpejtuara dhe normale do të zhvillohen në kuadër të “Kornizës së Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët”, ndërsa kurset do të zhvillohen me metoda moderne nga trajnues ekspertë të certifikuar, në nivelet A1, A2, B1, B2, C1 dhe C2 të Portofolios Evropiane të Gjuhëve.

“Instituti ynë e mëson turqishten si një gjuhë botërore me standarde ndërkombëtare dhe në dritën e metodave shkencore, ndërsa në këtë kuadër pjesëmarrësve u ofron të gjitha mjetet dhe materialet e nevojshme për arsim”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në njoftim bëhet e ditur se do të organizohen kurse të gjuhës turke edhe për fëmijët e moshës 10-15 vjeçare.

Instituti “Yunus Emre” që nga themelimi i tij me Qendrat e Kulturës Turke në mbi 50 vende të botës, luan një rol të rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore me vendet ku vepron.

“Qendrat tona kulturore kanë për qëllim të promovojnë kulturën turke, të sigurojnë një ndërveprim të përhershëm midis vlerave tradicionale dhe bashkëkohore përmes gjuhës së kulturës dhe artit. Qendrat tona përveç aktiviteteve në vendet që gjenden, zhvillojnë edhe punime në mbrojtjen e arteve tradicionale, trashëgimisë kulturore, sigurimin vazhdimësisë në prodhimin artistik në disiplina të ndryshme dhe zhvillimin politikave kulturore. Instituti “Yunus Emre” në Shkup organizon aktivitete për të zhvilluar marrëdhëniet Turqi-Maqedoni në aspektin kulturor, artistik, shkencor dhe diplomacisë kulturore. Në këtë drejtim ne organizojmë mbi 50 aktivitete”, thuhet në njoftimin e Institutit. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne