Shqipëri, aktivitet përkujtimor për Fitoren e Çanakalasë

Qyteti i Shkodrës i është bashkuar aktiviteteve përkujtimore me rastin e 18 Marsit, Ditës së Fitores së Çanakalasë, ku janë organizuar aktivitete nga institucionet turke në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Programi “18 Mars-Fitorja e Çanakalasë” organizuar nga Instituti “Yunus Emre” në Shkodër dhe nën kujdesin e ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve lokale në Shkodër, si prefekti i Shkodrës, Çesk Millja, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe studiues.

Aktiviteti ka filluar me vendosjen e kurorave me lule në Monumentin e Hasan Riza Pashës, ndërsa më pas është mbajtur edhe programi përkujtimor në ambientet e Teatrit “Migjeni”.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin përkujtimor, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se janë mbledhur për kujtimin e dëshmorëve.

“Këtu në Shkodër, në njërin nga qytetet më të veçantë dhe më të vjetër në Ballkan, me rastin e 18 Marsit, Ditës së Dëshmorëve dhe 104-vjetorit të Fitores sonë në Çanakala, jemi mbledhur për të sjellë mes nesh kujtimin e shtrenjtë të dëshmorëve tanë. Populli ynë i shtrenjtë dhe ushtria jonë fitimtare kanë luftuar për mbrojtjen e atdheut; bijtë tanë turq, shqiptarë dhe me origjina të tjera kanë luftuar heroikisht kundër synimeve imperialiste të kohës në Luftën Ballkanike dhe në Luftën e Çanakalasë, në Aden, Medine, Kanal, Sarıkamış dhe Bagdad”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük tha më tej gjatë fjalës së tij se “Gjatë Luftës sonë Çlirimtare, revoltave të mbështetura nga fuqitë imperialiste në Kore, në Qipro, në aksionet terroriste armene dhe greke, kemi patur me dhjetëra mijëra dëshmorë. Sot organizatat tradhtare terroriste si PKK, YPG, FETO, DEASH, Al Kaeda, DHKP-C vazhdojnë sulmet kundër atdheut tonë. Si Republika e Turqisë prej vitesh ne shprehemi se terrori nuk ka fe, racë dhe kombësi, si ai përbën një kërcënim të përbashkët për të gjithë njerëzimin”.

Ai tha se disa vende vazhdojnë të mbështesin grupe të caktuara terroriste dhe i lartësojnë si “luftëtarë të lirisë” apo “guerilë heronj” dhe për sulmin terrorist në Zelandë të Re u shpreh se ky sulm është pasojë e këtij mentaliteti të rrezikshëm dhe i një politike ngurruese.

Ndërkohë, në një prononcim për mediat në Shkodër, ambasadori Yörük i pyetur në lidhje me përpjekjet në luftën kundër terrorizmit tha se “Terrorizmi është një e keqe në kokën e secilit. Ne si Republikë e Turqisë jemi të mendimit dhe punojmë që terrorizmi të mos injektohet qoftë në ndjenjat kombëtare, qoftë në ndjenjat fetare dhe kjo është detyrë e secilit komb për ta luftuar terrorizmin. Të bësh dallim ndërmjet terrorizmit është turpi më i madh në botë”.

Një fjalë përshëndetëse gjatë aktivitetit mbajti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkodër, Zafer Kıyıcı. “Një nga sagat heroike të historisë sonë të lavdishme është Fitorja e Çanakalasë. Ne sot këtu përjetojmë rishtazi nderimin që na sjellë festimi i përvjetorit të 104 të Fitores së Çanakalasë, të gdhendur me shkronja të arta në historinë e luftës kombëtare të Turqisë dhe krenarinë e të perceptuarit të Ditës së Dëshmorëve, të cilët vullnetarisht sakrifikuan jetën për atdheun tonë të shenjtë”, tha Kıyıcı.

Në aktivitetin me temë “18 Mars-Fitorja e Çanakalasë-Ceremonia përkujtimore e dëshmorëve dhe ceremonia përkujtimore e Mehmet Akif Ersoy”, u lexuan pjesë nga Kur’ani, u lexuan letrat e dëshmorëve, ndërsa u hap edhe ekspozita me të dhëna, dokumente dhe fotografi të luftës, si dhe foto dhe dokumente rreth jetës dhe veprimtarisë së autorit të himnit kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif Ersoy./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne