Shqipëri, jep dorëheqjen Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka paraqitur sot dorëheqjen e parevokueshme tek kryeministri Edi Rama.

Lajmin për këtë vendim e bëri të ditur vetë Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook, ku deklaron se ka përfunduar kapitulli i shërbimit të tij në krye të diplomacisë shqiptare.

“Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar”, ka shkruar Cakaj.

Sipas tij, angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin dhe forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Pas vendimit për dorëheqjen e Cakajt, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale ka propozuar Olta Xhaçkën që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa Niko Peleshin për drejtimin e Ministrisë se Mbrojtjes.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme. Dua ta falënderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, shkruan kryeministri Rama.

Kujtojmë që Gent Cakaj e mori postin e Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë më 23 janar 2019, duke zëvendësuar në këtë post Ditmir Bushatin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne