Shqipëri, sekuestrohen 11.300 tableta ekstazi

Tiranë

Në një operacion policor në Shqipëri janë sekuestruar 11.300 tableta ekstazi, ndërkohë janë arrestuar edhe pesë persona, tre shtetas të Shqipërisë dhe dy shtetas të Kosovës, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thuhet se policia ka rënë në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike, nga Kosova në Shqipëri.

“Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit, nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në Tiranë së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11.300 tabletash ekstazi MDMA dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Gjithashtu theksohet se nga hetimet ka rezultuar se të arrestuarit, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne