Një Shqipëri jo normale, një ekipit më shumë potencial, me shumë klas, që nuk shënon gola normal, por perla. Nuk ka më histori të tipit, “luajtëm mirë, por nuk ishim me fat”.
Nuk ka më histori, ku biem në fund, kjo Shqipëri e ndërtuar nga Sylvinho nuk i lë asgjë rastësisë, nuk qëndron pas, në pritje të fatit, nuk dorëzohet në asnjë moment, por luan futboll me kokën lart, duke shfrytëzuar në maksimum çdo detaj të një sfide, për më tepër, një ekip shumë i bashkuar, me shumë zemër, dhe me lojtarë që mund të zgjidhin një ndeshje në çdo momente.
Ndaj Polonisë, Shqipëria tregoi të gjithë vlerat, thyen një tabu shumë të madhe, duke mposhtur Lewandowskin me shokë, me lojë dhe rezultat, 2-0.
Kjo ishte një sfidë ku kuqezinjtë nuk i lejuan asgjë kundërshtarit, vetëm një goditje në kuadrat, ndërsa magjia e Jasir Asanit bëri që 22 mijë tifozë në stadium, dhe miliona në të gjithë botën, të shpërthenin në festë.
Me 10 pikë në 5 ndeshje, Shqipëria kryeson Grupi E, ky është një fakt që shumë pak veta e imagjinonin në fillim kur u hodh shorti, aq më tepër që jemi plus 4 në raport me Poloninë, me ata që shiheshin si kokë grupi. Ekipi i Sylvinho-s mbylli xhiron me 5 me 1 humbje, 1 barazim dhe 3 fitore, 10 gola të shënuar 3 të pësuar. Sylvinho ka në dispozicion sulmin më të mirë të këtij grupi, ndërsa ka pësuar vetëm një gol më shumë se Republika Çeke.
Në letër tani, por dhe në fushë, Çekia është rivali më i madh i Shqipërisë. Nëse sfida ndaj Polonisë, ishte një sfidë jetike ku tre pikët do të na dërgon në këtë nivel, në krye të grupit dhe një hap larg kualifikimit, ky objektiv pritet të vendoset përfundimisht në “Air Albania” me 12 tetor, teksa presin Republikën Çeke. Është thuajse e pamundur që në këtë situatë ku jemi të rrezikojmë pjesëmarrjen në “Euro2024”.
Sigurisht përpara janë dhe tre finale, ndërsa një rol përcaktues në këtë grup ka edhe Moldavia teksa renditen në vendin e tretë me 8 pikë, po aq sa Çekia. Më 12 tetor, në Tiranë, përballë Çekisë, Shqipëria luan për të dy rezultatet, mjafton të mos humbasim, ndërsa më pas më 17 nëntor luajmë në transfertë përballë Moldavisë dhe e mbyllim me Ishujt Faroe në Tiranë me 20 nëntor. Në këto kualifikuese, Shqipëria ka dy bonuse të mëdha, e para, fitorja ndaj Polonisë bën që nëse dy ekipet e mbyllin me pikë të barabarta grupin, kualifikohet Shqipëria.
Një tjetër detaj në favor të Shqipërisë është se Polonia dhe Republika Çeke do të përballen ndërmjet tyre me 17 nëntor. Nëse nuk dëshirojmë të kthejmë kokën pas, të mos bëjmë llogari me rivalët, Shqipërisë i duhen edhe 5 pikë nga 9 të mundshme për të siguruar një biletë për në Gjermani.
Spektakli kuqezi i konvertuar në nota na jep një tjetër tablo. Pa diskutim, çdo tifoz do të kujtojë gjatë golin e Jasir Asanit, një perlë e vërtetë, por mëngjarashi nuk ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, sipas “Sofascor”: Asani vlerësohet me notën 6,7. Dy lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes rezultojnë Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj, nota 7,5. Pas disa ndeshjeve me koeficient të ulët, Hysaj rikthehet të luajë një ndeshje në nivele të lartë.
Jo vetëm Gjimshiti, me një notë të lartë u vlerësua edhe qendërmbrojtësi tjetër Ardrian Ismajli, nota 7,3. Së bashku me Gjimshitin, dy qendrat kuqezi zhdukën Robert Lewandowksi-n. Dyshja e mesfushës, Ramadani-Asllani u vlerësuan me notë të lartë, 7 dhe 7,1, ndërsa një ndeshje jo në ritmin e zakonshëm zhvilloi Nedim Bajrami, i vlerësuar me notën 6.8. Dy lojtarët më pak të vlerësuar ishin Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, 6,7 dhe 6,5 për sulmuesin e Granada-s./BW