Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ambasadori Poda mori pjesë në “Ekspo e 4-rt Kinë-VEQL & Panairi Ndërkombëtar i Mallrave të Konsumit”, me temë “Vizione të reja për të ardhmen”, e cila u mbajt në datat 21-25, në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës.
Pjesëmarrjen në aktivitetet e shumta që u zhvilluan në kuadër të kesaj ngjarje te rendesishme, Ambasadori Poda e shfrytëzoi për takime dypalëshe e shumëpalëshe me zyrtarë të lartë kinezë të qeverisjes qendrore e lokale, si dhe me pjesëtare të delegacioneve nga vendet e këtij mekanizmi, të pranishëm në Ningbo.
Për herë të parë këtë vit, Shqipëria u përfaqësua në këtë Ekspo nga një grup prej 14 biznesesh, të cilët morën pjesë në aktivitetin “Prokurimi dhe nënshkrimi produkteve nga vendet e VEQL-së, gjatë të cilit dy kompanitë shqiptare “Kukës Chrome Minerals Sh.p.k”dhe “Lajthiza Minerals Sh.p.k” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me dy kompani kineze, kurse dy kompanitë e tjera shqiptare Rimus Tour Albania” dhe “Albanian Halal Distribution”, u nderuan me çmim si “ekspozues të shkëlqyer”.
Ambasadori Poda vizitoi edhe pavijonin e Shqipërisë, ku si rrallëherë më parë, ishin të ekspozuara produktet e shërbimet shqiptare, ku nuk mungonin mjalti i mirënjohur “Morava”, vaji i ullirit “Dhërmiu”e “Borshi”, bimët mjekësore e çajërat e ndryshme të paketuara, esencat e vajit bimor, verërat e shumëllojshme, birra “Stela”, krem wiski i Aquila Liquori, stenda e turizmit etj.
Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e kompanive shqiptare, të pranishëm në pavijonin e Shqipërisë, Ambasadori Poda i përgëzoi të gjithë për pjesëmarrjen e tyre në këtë event kaq të rëndësishëm për botën e biznesit dhe premtoi se do të jetë në mbështetje për gjithshka që ka lidhje me aktivitetin e tyre në Kinë.