Shqipëria, “miku i ri” i Izraelit një vendim politik i debatueshëm në kohë lufte e tragjedish në Gaza

Qeveria shqiptare e drejtuar nga PS, në bashkëpunim me partinë opozitare PD, më në fund e gjejnë gjuhën e përbashkët: të dyja palët në shërbim të shteti gjenocidial të Izraelit.
Shqipëria është bërë zyrtarisht shteti i 64-t që i bashkohet “Israel Allies Foundation”, një rrjet global pro-izraelit që promovon të ashtuquajturën “diplomaci të bazuar në besim”. Lançimi i “Grupit Parlamentar të Miqësisë me Izraelin” në Kuvendin e Shqipërisë u prezantua si një nismë ndërpartiake, e drejtuar nga Romina Kuko (PS) dhe Gazmend Bardhi (PD). Por, ndërsa deputetët firmosin rezoluta miqësie, në Gaza vazhdon një krizë humanitare e përmasave katastrofike.

Në një kohë kur qindra mijëra civilë palestinezë po vuajnë nga uria, mungesa e ujit, strehimit dhe bombardimet e përditshme, vendimi i Shqipërisë për t’u rreshtuar hapur në krah të Izraelit ngre pikëpyetje serioze për drejtimin moral dhe diplomatik të politikës sonë të jashtme.

Shqipëria, që historikisht është vlerësuar për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrezikon sot të keqpërdorë këtë faqe të ndritur të historisë për të justifikuar heshtjen përballë shkeljeve të të drejtave të njeriut që ndodhin në territoret palestineze.

Deklaratat e përfaqësuesve politikë gjatë ceremonisë zyrtare në Kuvend ishin plot lavde për “marrëdhëniet e forta” me Izraelin dhe “vlerat e përbashkëta”, por asnjë fjalë nuk u tha për qindra fëmijët e vrarë në Gaza, për shkatërrimin e spitaleve apo për dënimet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar ndaj politikave izraelite.

Në vend që të shërbente si urë mes popujve dhe si zë për paqen, Shqipëria po shfaqet si pjesë e një fushate politike ndërkombëtare që përpiqet ta paraqesë mbështetjen ndaj Izraelit si akt “moral”.

Në realitet, kjo nismë nuk është  morale por politike. Dhe në një kohë kur bota po ndahet mes atyre që kërkojnë drejtësi për popullin palestinez dhe atyre që zgjedhin të mbyllin sytë, Shqipëria ka zgjedhur të heshtë në anën e gabuar të historisë./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne