Shqipëria vendi pa popull

Analiza nga Ilir Yzeiri

Sidomos pas marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e ngërçit politik, gjithë debati, të gjitha komentet, vërtiten rreth lojës politike. Janë në garë të gjithë për të treguar se kush fitoi, kush humbi, kush u eleminua dhe kush triumfoi. Përdëllimi ështe aq i ndierë sa të duket vetja bosh që nuk gjen edhe ti një fjalë për të treguar se çfarë ndodh mes bandave politike, siç quhen rëndom këtu te ne partitë politike. Vështruar kështu, gjithkush ka të drejtë të mendojë se në Shqipëri problemi nuk është populli, por politikanët.

Çdo lëvizje politike interpretohet, analizohet dhe gjykohet në favor të një klani apo të një lideri politik e në dëm të tjetrit. Ne tani dimë gjithçka për deputetët që u përjashtuan nga gara, për kandidatët që zgjodhi Luli dhe ata që përjashtoi Rama, por nuk kemi asnjë ide se çfarë ndodh në këtë vend. Cila është fotografia ekonomike e këtij vendi, çfarë strukture shoqërore kemi sot? Sa janë të pasurit e këtij vendi, sa janë të mesmit dhe çfarë pamje ka varfëria në këtë vend. Sa vrasje kanë mbetur pa autor.

Pse vetëm në Shqipëri mund të të vrasin në mes të qytetit dhe vrasësi ikën e nuk gjendet më. Janë të paktën tri ngjarje tronditëse që tregojnë se krimi e ka mundur shtetin: vrasja e komisar Cukut, vrasja e ish-oficerit të krimeve dhe shokut të tij në mes të ditës dhe vrasja në qendër të Vlorës e një zyrtari të lartë lokal dhe e pronarit të një televizioni lokal. Opinioni dhe mediat jo vetëm që nuk bëjnë presion që të na tregojë se përse ka falimentuar shteti në këto raste, por përkundrazi, vijojnë të shtjellin intrigën e dashurisë dhe urrejtjes mes partive dhe koalicioneve politike. Grupin më të madh të komenteve në këtë ndërkohë e zunë ato që kërkonin elemiminimin e Edi Ramës para se të bëheshin zgjedhjet. Lulëzim Basha në fillimet e ligjërimeve në çadër mblodhi rreth tij gjithë të pakënaqurit e Ramës dhe i nxitur prej tyre shpalli daljen nga sistemi. Pikërisht në momentin kur ai gjeti mirëkuptimin me Ramën, u linçua nga ata që e kishin frmyëzuar për Republikën e Re dhe bashkë me Ramën u quajtën të kapur. Marrëveshja u quajt pazar, politika mafie dhe të gjithë në grup nisën të vajtojnë për LSI-në dhe Ilir Metën, sepse si në delir dikush tha që kjo marrëveshje eleminon Metën.

Të tjerë u mërzitën sepse partitë e vogla po eleminoheshin. Shqipëria u kthye në një vend pa popull. Prej katër muajsh temat e mëdha janë fati i deputetëve, i aleancave, i partive të vogla dhe i koalicioneve. Ashtu si në garën e makinave apo në fundin e kampionatit të futbollit, në vend nuk diskutohet për asnjë gjë tjetër po veç për fatin e “bijve të popullit”. Megjithëse gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur ngjarje makabre, vrasje në qendër të qytetit si ajo në Vlorë, përsëri, opinioni nuk do t’ia dijë, mediat dhe komentet merren me fatin e politikanëve dhe me shtjellimin e intrigës së marrëveshjes Rama-Basha. Po e përsëris sepse janë raste ku shteti ka falimentuar. Pra, kanë ndodhur tri a më shumë atentate të llahtarshme si ai i komisar Cukut, pastaj ai në rrugën dytësorë afër Sukthit ku u vranë një ish-oficer policie dhe një tjetër dhe përvç kronikës së asaj dite, askush nuk u mor me atë ngjarje më. U vranë në mes të Vlorës në një atentat mafioz ish-drejtori i OSHE-së dhe një ish-pronar TV-je, dhe që të nesërmen ngjarja u harrua.

Kur mendon se sa e sa ngjarje të tilla kanë ndodhur në këtë vend dhe kanë mbetur pa autor, bindesh gjithnjë e më shumë se vendi ynë po rrëshqet drejt një Atdheu pa popull. Në Shqipëri në qoftë se dikujt i shkon në mendje të vrasë dikë për çfarëdolloj arsyeje, ai mund ta bëjë këtë fare lehtë, madje në mes të ditës dhe në qendër të qytetit, sepse policia nuk i kap kurrë vrasësit, media raporton vetëm ditën e parë, policia thotë se ka gjetur makinën me të cilin udhëtonin vrasësit dhe pastaj gjithçka harrohet, sepse vëmendja e publikut është e orientuar non stop drejt fatit të politikanëve, të partive dhe të aleancave. Shqipëria është kthyer në një “lotosport” gjigand ku të gjithë vënë bast se çfarë do të ndodhë me LSI-në apo me PDIU-në. A do t’i marrë Edi Rama 71 deputetë që të qeverisë vetëm, që t’ia thyejë turinjtë Ilir Metës? Po Basha tani po vepron me kokë të vet apo po bën lojën e Berishës? Gjithë kjo katrahurë e pështirë e ka bërë këtë vend si ajo fusha e futbollit të Rrogozhinës ku nga njëra anë janë vandakët me plehra të pazarit poshtë këmbëve të urës dhe nga ana tjetër varrezat e qytetit. Marrëveshjet politike janë gjithmonë të mirëpritura dhe ajo mes Bashës e Ramës është një ngjarje me rëndësi, por vetëm kaq. Marrëveshjet nuk bëhen që të rregullojnë fatin e politikanëve apo imazhin e tyre. Marrëveshjet duhet të prodhojnë sukses dhe frutet e saj duhet t’i gëzojë populli.

Mirëpo, në Shqipëri situata është përmbysur. Për fatin e keq shqiptarët kanë ndërtuar një hierarki të përmbysur sepse elitat politike në Shqipëri kanë zaptuar gjithçka dhe duke shfrytëzuar mungesën e vetëdijes shoqërore që kemi si popull, ato e kanë ndarë këtë vend në parcela me tifozë. Shqiptarët si popull nuk interesohen për fatin e tyre të përbashkët. Atyre, ashtu si në kohërat e para, iu intereson fati i beut ose i agait që i drejton. Ne jemi një popull folklorik që jetojmë ende me mitin e heroit të fisit që na udhëheq dhe e kemi ndarë Shqipërinë në tribu. Ndjekësit e Edi Ramës janë gati të kapërdijnë çdo paudhësi të kësaj qeverie mjaft që Edi Rama të sundojë, ata të Bashës e Berishës dëgjojnë të gjitha marrëzitë e botës, mjaft që Luli e Berisha të shkëlqejnë si kreshnikët e maleve që e plandosin dhe e thyejnë në mes në logun e burrave Edi Ramën, e kështu me radhë.

Shqiptarët nuk janë homogjenë dhe nuk mendojnë njësoj për të mirën dhe të keqen. Nëse në Shqipëri ndodh një krim, fajin nuk e ka policia e paaftë, po kryeministri i radhës. Të gjendur në këtë ndarje primitive, dhe të nënshtruar prej llumit të fjalëve që prodhojnë lloj-lloj shkruesish që merren me intrigat e dashurisë dhe të urrejtjes mes koalicioneve e politikanëve, ne po e bëjmë këtë vend një shkretëtirë njerëzore në të cilën të duket se populli vuan dhe është në ankth për fatin e politikanëve dhe ku të gjithë pa përjashtim, njerëz normalë dhe të çmendur që gjenden me shumicë, nuk bëjnë gjë tjetër po vetëm na tregojnë se si të plotësojmë skedinat e ndeshjeve politike, të vëmë bast për Edin vetëm apo për Lulin e braktisur, për LSI-në e para apo për PDIU-në në kategorinë superiore…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne