Çadi mund të mos ketë miliarda dollarë, por ka dinjitet dhe krenari, ka deklaruar udhëheqësi i ish-kolonisë franceze.
Presidenti i Çadit, Mahamat Idriss Déby, ka njoftuar pezullimin e lëshimit të vizave për qytetarët amerikanë si hakmarrje ndaj vendimit të Uashingtonit për të ndaluar hyrjen e shtetasve çadianë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që vendos një ndalim të plotë të hyrjes për qytetarët e 12 vendeve, përfshirë Çadin, Republikën e Kongos, Guinenë Ekuatoriale, Eritrenë, Libinë, Somalinë dhe Sudanin. Ai përmendi një sërë shqetësimesh, përfshirë praninë e organizatave terroriste, mungesën e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, shkallën e lartë të tejkalimit të afateve të vizave dhe refuzimin e disa qeverive për të pranuar shtetasit e dëbuar.
Në një deklaratë të shkurtër të postuar në Facebook të enjten, udhëheqësi i Çadit tha se kishte “urdhëruar qeverinë të veprojë në përputhje me parimet e reciprocitetit dhe të pezullojë dhënien e vizave për qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
“Çadi nuk ka avionë për të ofruar dhe as miliarda dollarë për të dhënë, por Çadi ka dinjitetin dhe krenarinë e vet,” shtoi Déby.
LEXO MË SHUMË: SHBA fut në listën e zezë shtatë vende afrikane
Masat e reja të administratës Trump, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 9 qershor, përfshijnë gjithashtu Afganistanin, Mianmarin, Haitin, Iranin dhe Jemenin. Udhëtarët nga Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela do të përballen me kufizime të pjesshme. Përjashtime do të zbatohen për banorët e ligjshëm të përhershëm në SHBA, shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë, diplomatët, sportistët dhe familjarët e tyre që marrin pjesë në ngjarje të mëdha sportive, si dhe ata me viza imigrimi për bashkim familjar apo birësim.
Zëdhënësi i qeverisë së Kongos, Thierry Moungalla, tha se beson që përfshirja e Republikës së Kongos, e njohur gjithashtu si Kongo-Brazavillë, në listën e zezë të udhëtimit nga SHBA, është rezultat i një “keqkuptimi.”
“Kongo nuk është një vend terrorist, nuk është strehë për asnjë terrorist dhe nuk njihet për ndonjë prirje terroriste. Prandaj mendojmë se kjo është një keqkuptim, dhe besoj se në orët në vijim shërbimet përkatëse diplomatike të qeverisë do të kontaktojnë autoritetet amerikane,” tha Thierry Moungalla në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Brazzaville.
Ambasadori somalez në SHBA, Dahir Hassan Abdi, tha se Mogadishu është i gatshëm të angazhohet në dialog për të adresuar shqetësimet e ngritura. Edhe Sierra Leone, e cila përballet me kufizime të pjesshme, raportohet se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtëpinë e Bardhë./rt