Drejtoria e Burgjeve është paraqitur në qendrën e paraburgimit të Durrësit 5 minuta përpara se të fillonte seanca në GJKKO për Veliajn. Kjo është bërë shkak për shtyrjen e seancës si dhe mungesa e 3 avokatëve mbrojtës të kryebashkiakut.
Seanca e radhës në GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj, për kalimin ose për gjykim të çështjes, është shtyrë për në datën 19 janar dhe shkak është mosshoqërimi i Veliajt nga qendra e paraburgimit në Durrës. Shkak për këtë nuk është bërë refuzimi i Veliajt për të qenë prezent, por moskoordinimi i burgjeve për të mundësuar shoqërimin e tij.
Siç sqarojnë burime për gazetaren e Report Tv Keti Banushi, furgoni i Drejtorisë së Burgjeve është paraqitur në paraburgimin e Durrësit në orën 08:55 ndërkohë që seanca fillonte në orën 09:00. Veliaj ka komunikuar me avokatin Maks Haxhia për ta vënë në dijeni, ndërkohë që edhe nga ana e prokurorëve është cilësuar jo serioze vonesa për ta shoqëruar Veliajn për në seancë. Tjetër shkak për shtyrjen është bërë dhe mungesa e mbrojtësve ligjorë.
Erion Veliaj ka kërkuar nga gjykata sigurimin e kushteve për tu njohur fizikisht me dosjen hetimore prej afro 60 mijë faqesh. Kësaj kërkese GJKKO i është përgjigjur se avokatëve të kryebashkiakut i është vënë në dispozicion nëpërmjet avokatëve USB me dosjen hetimore, por Veliaj thotë se nuk mund ta lexojë, pasi në qeli nuk lejohen pajisjet elektronike.
Sakaq, Veliaj në seancën e fundit të zhvilluar më 12 dhjetor, përjashtoi nga mbrojtja e tij avokatin Artan Gjermeni, pasi kërkesa e këtij të fundit drejtuar gjykatës që Veliaj të mos qëndrojë brenda kafazit të qelqtë gjatë seancave, u refuzua.
Rrjedhimisht gjykata i caktoi një avokate kryesisht Valentina Teodoresku, e cila për të përgatitur mbrojtjen duhet të studiojë 60 mijë faqet.
SPAK e akuzon Veliajn për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv e shpërdorim detyre, akuza që kryebashkiaku i ka mohuar, ndërsa procesin e ka vlerësuar të pabazuar në prova./shqiptarja















