Si KED e shkeli Kushtetutën — Të gjitha faktet

Shumica socialiste është e vendosur të ngrejë me shpejtësi Gjykatën Kushtetuese, duke sakrifikuar Kushtetutën, ligjin dhe cilësinë. Pak ditë më parë Kuvendi zgjodhi dy anëtare të Gjykatës Kushtetuese, këshilltare të anëtarëve të larguar nga vetingu, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin.

Megjithatë zgjedhja është akti final i një, i një morie shkeljesh nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë që zgjidhen përkatësisht:

Tre nga Presidenti;

Tre nga Kuvendi;

Tre nga Gjykata e Lartë.

Kushtetuta në dispozitat kalimtare, përcakton rradhën sipas ë cilës anëtarët e rinjë të Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhen. Kështu neni 179, pika 2 parashikon:

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Procedura për zëvendësimin e anëtarëve të GJK fillon me shpalljen e vendeve bosh nga ana e organit që do t’i emërojë përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Mbasi njëri nga këto organe shpall vendin vakant, juristët e interesuar dorëzojnë dokumentat tek organi përkatës.

Listat me kandidatët i dërgohet KED i cili brenda pesë ditëve mblidhet për të filluar shqyrtimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve. 10 ditë nga data e zhvillimit të mbledhjes, KED rendit kandidatët nga më i vlërësuari tek më pak i vlerësuari. Kjo listë me kandidatë i dërgohet organit kompetent, i cili duhet të zgjedhi brenda afatit të përcaktuar nga ligji “Për Gjykatën Kushtetuese”. Në rast të kundërt kandidati i parë i renditur në listën e kandidatëve do të emërohet automatikisht.

Faktet e debatit për anëtarët e rinj të GJK

Presidenti Meta shpalli dy vende bosh në Gjykatën Kushtetuese, për të cilat KED hartoi dy lista për secilin vend. Kandidatët të kualifikuar në vakancën e parë ishin Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muci dhe Regleta Panajoti, ndërsa për të vakancën e dytë ishin Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.

Kuvendi gjithashtu kishte shpallur dy vende bosh dhe KED hartoi dy lista për secilin nga vendet, ku kandidatët e kualifikuar ishin:

Për vakancën e parë — Arta Vorpsi, Elsa Toska, Besnik Muci

Për vakancën e dytë — Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska.

KED, më 8 tetor ia dërgoi listat e mësipërme Presidentit dhe më 13 tetor ia dërgoi listat Kuvendit. Më 16 tetor Presidenti Meta dekretoi Besnik Mucin si anëtarin e parë të GJK. Në 7 nëntor Meta pezullojë përzgjedhjen e anëtarit të dytë prej tij me argumentin se sipas Kushtetutës radhën për zgjedhjen e anëtarit të dytë të GJK e kishte Kuvendi.

Më 11 nëntor, Kuvendi zgjodhi dy anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi pohoi se zonja Toska ishte e vetmja kandidate nga lista e KED, për në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij Arta Vorpsi është emëruar automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Presidenti Meta nuk u shpreh brenda afatit 30 ditor.

Më 12 nëntor, Presidenti Meta dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të GJK, duke parashtruar dhe argumetet e tij për zgjedhjen e tij.

Ndërkohë dje, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi kreu një veprim tërësisht të pavlefshëm dhe në shkelje të Kushtetutës. Ajo u betua përpara noteres si anëtare e GJK.

Shkeljet ligjore

KED dhe Kuvend kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin “Për Gjykatën Kushtetuese”. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen sipas një radhe të përcaktuar nga dispozitat tranzitore të Kushtetuese, i pari Presidenti, i dyti Kuvendi dhe i treti Gjykata e Lartë.
Ndjekja e kësaj radhë, megjithatë, u bë gati e pamundur nga KED, i cili detyroi Presidentin dhe Parlamentin të zgjidhin 2 anëtarë, respektivisht përpara datës 8 nëntor dhe 13 nëntor. Duhet të bëhet e qartë se i vetmi anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur plotësisht sipas Kushtetutës është Besnik Muçi.

Tre kandidaturat e tjera, Elsa Toska Arta Vorpsi dhe Fiona Papajorgji janë zgjedhur në kundërshtim me nenin. 179 (2), ndër të cilat Papajorgji dhe Toska janë zgjedhur më tej në kundërshtim dhe me nenin 125 të Kushtetutës, i cili përcakton se anëtarët duhet të zgjidhen nga “tre kandidatët e renditur të parët”. Për asnjë prej vendeve vakante nuk kishte më shumë se dy kandidatë, që do të thotë se në thelb nuk kishte mundësi zgjedhjeje.

Ndërkohë sot Arta Vorpsi, anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, u betua përpara një notereje duke u shprehur se do t’i qëndrojë besnike Kushtetutës.

Pavarësisht se Kushtetuta është mjaft e qartë për vendin se ku betohen anëtarët e rinj të GJK. Neni 129 i Kushtetutës parashikon:

“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”

Më 14 nëntor, Presidenti Meta thirri për tu betuar Elsa Toskën, Fiona Papajorgjin dhe Marsida Xhaferllarin. Kështu numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka shkuar në 5 anëtarë, — Vitore Tusha, Besnik Muci, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne