Në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili po hetohet për 4 vepra të dyshuara penale, është thirrur pak ditë më parë edhe biznesmeni Gent Sula, i njohur si pronar i “Agi Kons”.
Ai është paraqitur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana të një procedimi penal të nisur nga SPAK-u dhe marrja e tij në pyetje besohet se ka qenë për banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
“Ora News” publikoi një ditë më parë dokumentin e kontratës së shit-blerjes së rezidencës tek “Kodra e Diellit” e nënshkruar mes bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Ajola Xoxës dhe kompanisë “Agi Kons” në pronësi të biznesmenit Gent Sula që mbase dëshmon edhe mënyrën se si funksionon prej vitesh lidhja mes çiftit Veliaj-Xoxa dhe Gent Sulës. Kontrata është e vitit 2016 dhe me akt sipërmarrje të vitit 2012.

Dhe për të kuptuar më shumë mbi këtë mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë me hetimet e nisura nga SPAK për pasurinë e kryebashkiakut të Tiranës.


Gjithsesi vlen të kujtojmë se për këtë marrëveshje të dyshimtë, apo për këtë kontratë si dhe për pasurinë e Veliajt dhe Xoxës, rrjeti investigativ “BIRN” në 28 korrik të vitit 2019 do të publikonte një artikull ku shprehet se nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë u identifikuan “flamuj të kuq”, që lidhen kryesisht me pasuritë e patundshme në pronësinë e Veliajt dhe të bashkëshortes së tij./Oranews