Investiguesi Shkrimor
Zhveshja dhe masakra Juridike e Ligjeve 55/2015 dhe 93/2015 dhe Thyerja e Ligjit 7501
Duke i kaluar në thjerrëzën juridike, ndryshimet ligjore nuk shihen si thjesht “reforma ekonomike,” por si një Metamorfozë e Pushtetit ku ligji përdoret si armë për të legjitimuar tjetërsimin e territorit.
Duhet theksuar se në ligjet 55/2015 dhe 93/2015 është e vështirë për një sy profan që të gjesh nene ligjore të cilët bien ndesh drejtpërdrejt si ndryshime tekstuale krahasuar me tekstin e ligjit 7501. Kjo është kështu sepse teknika juridike e përdorur nga sistemi është ajo e Anulimit të Tërthortë përmes ligjeve speciale. Ligji 55/2015 (Për Investimet Strategjike) dhe Ligji 93/2015 (Për Turizmin) nuk amenduan nenet 3 dhe 4 të Ligjit 7501 (krahaso imazhet), por krijuan një “autostradë” paralele ligjore që i anashkalon ato krejtësisht.
1. Mekanizmi Juridik i Përplasjes (Zhveshja e Tekstit)
• Nenet 3 dhe 4 të Ligjit 7501: Këto nene përcaktojnë rreptësisht se toka u jepet familjeve bujqësore në përdorim ose pronësi vetëm për qëllime bujqësore. Neni 3 ndalon shprehimisht ndryshimin e destinacionit të tokës bujqësore pa një vendim të veçantë qeveritar, duke e mbrojtur atë si pasuri kombëtare.
• Anashkalimi përmes Ligjit 55/2015 (Investimet Strategjike): Ky ligj (veçanërisht përmes neneve që rregullojnë asistencën operative dhe shpronësimin për interes publik) i jep të drejtë Këshillit të Ministrave ose Komitetit të Investimeve Strategjike që të marrë tokë bujqësore (edhe private, të ndarë me 7501) dhe ta kalojë atë në fondin e investimeve për ndërtim resortesh apo kompleksesh.
• Anashkalimi përmes Ligjit 93/2015 (Turizmi): Ky ligj krijoi konceptin e “Investitorit në Turizëm” dhe zonave me rëndësi të veçantë (si Sazani apo Zvërneci). Ky ligj lejon që tokat shtetërore ose bujqësore ta ndryshojnë destinacionin e tyre me një të rënë të lapsit administrativ, duke iu shitur ose dhënë me qira afatgjatë (deri në 99 vite) korporatave private për zhvillim (ndërtim).
Në thjerrëzën juridike, kjo quhet “Inovacioni Juridik si mjet kontrolli.” Sistemi nuk e shfuqizon ligjin e vjetër që të mos zgjojë alarm, por krijon një ligj të ri “special” i cili, sipas parimit juridik 𝑳𝒆𝒙 𝒔𝒑𝒆𝒄𝒊𝒂𝒍𝒊𝒔 𝒅𝒆𝒓𝒐𝒈𝒂𝒕 𝒍𝒆𝒈𝒊 𝒈𝒆𝒏𝒆𝒓𝒂𝒍𝒊 (Ligji special ka epërsi mbi ligjin e përgjithshëm), e nxjerr jashtë loje Ligjin 7501.


















