FJALIMI I PAMUNDËSUAR NË PROTESTËN KOMBËTARE

Artur Shkurti
Drejtor, “Udha e shkronjave”
Tiranë, 13 qershor 2026

Prej dy ditësh (12-13 qershor 2026) kontaktuam z.Andi Tepelena për të na lejuar të flasim në protestë. Kërkuan përmbajtjen e fjalës. I thamë shkurt që do të flasim për dobësimin e sistemit arsimor dhe përçarjen kombëtare. Përdorën marifetin e gatishmërisë fiktive dhe të lodhjes sonë përmes konkurrencës së “fjalimeve të shumta” që presin. Nuk na e dhanë mundësinë për të folur. Për t’u siguruar u shkruaj për herë të fundit “Nëse s’bëhet po e botoj artikullin në faqen time dhe e lexojnë aty njerëzit!”
Andi Tepelena thotë “Fundja ashtu bëje”, pra na konfirmoi dëshirën për refuzim që ne të flisnim në protestën kombëtare. Qartësisht janë duke u bërë vetingun politik folësve në protestë. Edhe pse e dinë që ne bëjmë oponencë krejt të veçantë dhe nga pozitat e Sistemit Arsimor, nuk duan që zëri i sistemit arsimor të shkojë në Protestën Kombëtare. Kështu vijojnë dëmin masiv ndaj Sistemit Arsimor edhe në Protestën Kombëtare. E kishim thënë që Megafoni është mënyrë e kontrollit të protestës.
Tashmë kemi provën tonë të manipulimit prej grupit që menaxhon fjalët në mikrofonin e protestës. Fjalën që nuk e mbajtëm po e botojmë këtu.

Të dashur bujarë shqiptarë,

Naim Frashëri tek “Qerbelaja” thotë: “Botës i dhanë lirinë, duke ngrehur parësinë, dhe të zgjedhënë një të parë, dhe të urtë jo të marrë”.
Më tej na thotë: “Ligësi shumë u rrëfye andaj populli ngriti krye”. Ligësia më e madhe e Kartelit Politiko-Fetar ka qenë shthurja e shqiptarëve, proces që Sami Frashëri e përshkruan kështu: “Shthurja është një lumë i rrëmbyer që ecën midis popujve dhe i rrëmben popujt që janë mbrojtur me muret e një morali të mirë dhe me anën e një administrimi të mirë i dërgon nëpër grykëderdhje pranë detit ku ato janë të paracaktuar të mbyten.” Shthurja shqiptarëve u erdhi përmes dobësimit të Sistemit Arsimor dhe shpërfilljes së planifikuar të edukimit kombëtar. Ligësia qëndron në faktin që edhe pse dobësimi ynë kombëtar vjen përmes sulmit të qëllimtë të Sistemit Arsimor, Mediat e Kartelit udhëzohen të mos flasë për këtë lloj dëmi dhe të bëjnë sikur kjo nuk ka rëndësi.
Pasojat katastrofike të shthurjes kombëtare Naimi do t’i përshkruante kështu:
“S’më vjen keq për derët tënë, se nga zoti kshu qe thënë, por më vjen për Mëmëdhenë,
dhe për Besën dhe për Fenë, më vjen keq për njerëzinë që i dhatë arratinë.”
Populli shqiptar po kryen hapin parë të drejtë, duke protestuar bashkë të majtë e djathtë. Nga ana tjetër ka frikë për çfarë vjen më pas, frikë që Gëtja do ta thoshte me këto fjalë “Rrëmeti gjithë rreh përpjetë, kujton se shtyn e shtyhet vetë” .

Të dashur bujarë shqiptarë,
Programin politik të çdo lëvizje shqiptare që i kapërcen e shekujt e gjejmë në katër vargjet e Poetit Kombëtar Naim Frashërit nga poema “Bagëti e bujqësi”:
“Tregomu dhe shqipëtarëve, udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër, edhe thjesht shqipëtarë”.
Këtë program duhet t’ua mësonte Sistemi Arsimor Shqiptar, por ai nuk ua mëson dhe qëllimisht i fsheh mësimet dhe orientimet dhe edukimin e Rilindjes Kombëtare, e cila është e goditur sistematikisht me shpërfilljen e organizuar dhe të planifikuar. Pra nuk është “dobësi e lindur shqiptare” por është sulm ndaj formimit dhe edukimit të shqiptarit. Më mirë se sa vetë shqiptarët, këto i kanë kuptuar antishqiptarët, të cilët kanë goditur çdo fjalë, të këtij programi të Rilindjes Kombëtare dhe po e marrim me radhë:
Naim Frashëri lutet që Zoti, dhe çdo kush që punon për shqiptarët, t’u tregojë atyre udhën e punës së mbarë. Në kushtet tona kjo është detyrë e Sistemit Arsimor Shqiptar dhe e Universiteteve. Karteli Politik dhe tutorët e huaj dëmtuan rëndë pikërisht Sistemin Edukativ dhe Arsimor Shqiptar dhe Universitetet.
Naim Frashëri thotë “bashkomi, bëmi vëllezër”. Para se shqiptarët të edukohen e të zbatojnë këtë porosi për interes shqiptar janë tutorët e huaj që menaxhojnë Kartelin Politik që të zbatojë devizën historike “përça e sundo”. Përçarja fetare është kaq e dukshme. Institucionet fetare duhet të shohin përgjegjësinë e tyre, ndaj ka kuptim të mos flasim vetëm për Kartel Politik, por për Kartel Politiko-fetar që i hap udhë ndërhyrjes së huaj dhe shthurjes së shqiptarëve. Ata qartësisht janë dhënë pas zmadhimit të pronave dhe kompaktësisë së bashkësive të tyre, që e përdorin për levë politike të tyre.

Klerikët qartësisht nuk i kanë parasysh vargjet e Naim Frashërit, që vijojnë:
Fet’ e besëtë t’i kemi po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë, Priftër’ e kllogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë, Po të duan Mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë, Dhe të tërë Shqipërinë,
Mirësit’ e urtësitë T’i kenë përpara dritë,
Të ken’ udhë njerëzinë, dhe zot gjithë Perëndinë;
Me dritët të Perëndisë t’i ndihinë Shqipërisë,
E të ngrenë Shqipëtarë të bëhet si ish më parë.

Dëmi kryesor që i ka ndodhur shqiptarëve është dëmtimi i karakterit dhe i virtyteve. Ky është dëm i planifikuar përmes dobësimit të Sistemit Arsimor, sidomos të edukimit kombëtar, dhe përmes jetës shoqërore që bazohet në korrupsion, padrejtësi, shtypje, spiunim, shitje, dinakëri, lodhje. Ky dobësim i karakterit synon shkombëtarizimin dhe të dekurajonte vlerësimin e shqiptarit, që Rilindja Kombëtare e kishte në nivelin më të lartë frymëzues dhe që Poeti Kombëtar Naim Frashëri e shprehte kështu: “Në janë ata shqiptarë, që i njoh e i di unë, bota po ka për të parë këtu një të madhe punë”.

Për të noterizuar dhe festuar këtë dëm sekti “rilindje” i Edi Ramës caktoi Erion Velinë të thoshte në Top Channel në shtator 2018 frazën turpëruese dhe dëmtuese për shqiptarët “Djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet ndërsa vajzat janë të ftillume”.
Me këtë Veliaj dhe Rama synonin të përçanin familjen shqiptare, qelizën e kombit dhe të largonin djalin nga vajza shqiptare, duke dhënë një shtysë tjetër për shpopullim dhe shthurje morale. Kjo ishte fyerje dhe dëm flagrant me video në një televizion kombëtar, ende e transmetuar në youtube. Megjithatë SPAK nuk do të mbrojë dinjitetin kombëtar duke ia ngarkuar këtë akuzë Erion Velisë. Nëse SPAK nuk e bën këtë ai po na tregon se është duke zbatuar urdhërat e të huajve dhe jo ndonjë frymëzim thelbësor shqiptar. Shkolla “Udha e shkronjave” ka qenë e vetmja që u ka bërë kërkesa zyrtare me shkrim presidentit, kryeministrit, partisë socialiste, AMA-s, Top Channel, SPAK-ut që të reagonin. Askush prej tyre nuk reagoi. Turp ta themi por nga qelia e burgut Erion Veliaj do të thotë “Atëherë paskam të drejtë”. Ja ky është dëmi.
Shqiptarët kanë punuar nën zgjedhën e njerëzve të tyre dhe edukimin nën zgjedhë solli masivisht apatinë e shqiptarëve dhe ndodhi saktësisht ajo që thotë Erion Veliaj shqiptari realisht po kthehej në “zdroms” nga Karteli, kafshë e plagosur, e vrarë nga samari, pra qenie e shtypur. Kjo është arsyeja pse Naimi Frashëri shkruan:
Si të rriten nënë zgjedhë, nuk bënenë të lirë,
E nuk e hedhin dot ledhë, ndaj mejtohi sot mirë.
Shqiptarët qartësisht u shtypën nga Karteli Politik dhe qartësisht u dobësuan për ta marrë në dorë Shqipërinë dhe fatet e veta.
Për të pamundësuar porosinë e Naim Frashërit “bëmi thjesht shqipëtarë”, dëmtuan Edukimin Kombëtar në shkolla dhe sidomos dëmtuan piketat orientuese të Rilindjes Kombëtare, i hoqën titullin Poet Kombëtar Naim Frashërit, shkombëtarizuan Korçën, hoqën statusin “Muze Kombëtar i Arsimit” për “Mësonjëtoren e parë shqipe”,
zhvendosën qëllimisht vëmendjen nga Korça drejt Manastirit, nga shek.19 drejt shek.20, dëmtuan Rilindjen Kombëtare, shpikën sektin “rilindje” pikërisht për të goditur “kombëtarizimin”, botuan vepra tjetërsuese për Vëllezërit Frashëri, shpikën nocionin “Shtet bektashi” për të shkombëtarizuar bektashinjtë, në të kundërtën e udhëzimeve të Poetit Kombëtar Naim Frashërit, eksportuan “BESËN” tek propaganda e Izraelit, si emërtim të Muzeut Hebraik me synimin e tjetërsimit të “besës shqiptare” produkti kryesor i Rlindjes Kombëtare në një koncept fiktiv dhe dëmtues si “besëlidhje shqiptaro-izraelite”, i hapën udhë përdorimit të sistemit arsimor për konvertimin fetar të shqiptarëve.
Dëmi kryesor ka qenë dëmtimi i karakterit dhe i virtyteve të shqiptarit, duke e kthyer me karakter të dobët dhe me vese. Karakteri dhe virytet janë dëmtuar në çdo komponent: intelektual, moral, qytetar, të performancës dhe në urtësinë praktike.

Sami Frashëri thotë “Pa bashkim nuk ka opinion publik”.
Protesta Kombëtare po na tregon shenja të qarta për dëshirën për një bashkim kombëtar të majtë, të djathtë apo të tjerë. Këtu natyrisht nuk kemi parasysh bashkimin e Kartelit (PS -PD-së) se ata të bashkuar janë, por kemi parasysh bashkimin shqiptarëve në bazë pa dallime fetare, apo politike, pikërisht për të përmbysur Kartelin që ushqehet me përçarjen “i majtë” – “i djathtë” e çdo përparje tjetër. Propozuam dy variante.
Më 25 maj 2026, ditën e 180-vjetorit të lindjes së Poetit Kombëtar Naim Frarshëri, ne ofruam një koncept politik, duke ua lënë detyrën kombëtare 10 000 emrave të rinjsh të shkëlqyer (18-36 vjeç) nga 50 qytete të Shqipërisë dhe 22 të Kosovës, që i njohëm prej 30 vjetësh në olimpiadat kombëtare. Nëse propozimi i parë ishte me 10 000 emra, propozimi i dytë për “Lidhjen e Fiseve Shqiptare” ofron mundësinë që krijimi i Asamblesë Popullore të bazohet një parimin një fis një përfaqësues. Kjo garanton përfaqësimin e drejtë dhe funksional, jashtë ndërhyrjes së huaj, jashtë ndarjeve fetare, dhe krahinore dhe garant janë nderi, tradita, dhe emri i mirë që synohet të formohet para syrit të opinionit shqiptar nga çdo fis.
Sot (13 qershor 2026) u tha se do të ishte Protesta në emër të Diasporës dhe problemeve të saj. Diaspora Shqiptare detyrë kryesore të saj ka mbrojtjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, bashkimin dhe aftësimin i saj për të qenë busull e Opinionit Publik Shqiptar për edukimin e vetëdijes kombëtare dhe globale dhe programin e kthimit në atdhe.
Mënyra e financimit të tyre duhet të jetë përmes sistemit të shkollave shqipe dhe organizatave patriotiek, të cilat marrin financimet jo veç për të mësuar gjuhën shqipe, por edhe për të mbajtur komunitetet shqiptare të bashkuara, që të mos munden të bien në përçarje politike, fetare, apo krahinore. Ne patëm idenë që diaspora të mos përfshihej në zgjedhjet politike duke votuar, jo për t’i përjashtuar nga pjesëmarrja, por të ndalur Kartelin Politk që infeksionin ta përhapë nga Shqipëria drejt diasporës.
Diaspora duhet të shërojë plagët që ka marrë në Shqipëri (përçarjen dhe urrejtjen për njëri-tjetrin), të ringrejë vetëdijen dhe kulturën kombëtare dhe të nxitë programin e kthimit në atdhe dhe t’i ofrojë atdheut dhe kombit një mbështetje të gjithanshme.
Faleminderit

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne