Artur Mëçollari
Kryeministri Rama po ridimensionon jo vetëm aleancat ushtarake të Shqipërisë, por edhe ato të Kosovës dhe rajonit.
Së fundmi, Kryeministri Rama deklaroi se do të hapet Shkolla Kombëtare e Forcave Speciale, si dhe trajnimet dhe certifikimi i personelit shqiptar do të bëhen nga Forcat Speciale të Izraelit. Deri përpara këtij zhvillimi, Forcat Speciale të Shqipërisë janë trajnuar nga Forcat Speciale të SHBA-së, ndërsa ato Komando nga forcat turke. Certifikimi i tyre është bërë nga strukturat përgjegjëse të NATO-s.
Trajnimi i Forcave tona Speciale është bërë nga aleatë të NATO-s, kryesisht SHBA dhe Turqia, në përputhje me standardet e NATO-s ose Marrëveshjet e Standardizimit të NATO-s (STANAGs). Me cilat STANAG-e do të trajnohen tashmë ushtarakët tanë? Izraeli nuk është anëtar i NATO-s dhe nuk ka akses në STANAG, shumica e të cilave janë të klasifikuara.
Kryeministri Rama, duke i cilësuar – dhe nuk ka gënjyer – Forcat Speciale izraelite si elitare, nuk e justifikon dot këtë bashkëpunim. Ky bashkëpunim do të dëmtojë standardizimin dhe ndërveprimin e Forcave tona Speciale me NATO-n dhe aleatët e saj.
Izraeli do të përfshihet në sistemin tonë të korrupsionit. Kjo kompani është e përfshirë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kudo. Ka dy kompani të përbashkëta me KAYO-n, ka pjesën më të madhe të kontratave në Ministrinë e Mbrojtjes (mbi 600 milionë euro), do të drejtojë Shkollën e Aviacionit të sapohapur, Shkollën Kombëtare të Forcave Speciale që parashikohet, si dhe në një projekt tjetër që Kryeministri Rama nuk e bëri publik.
Izraeli nuk ka qenë asnjëherë faktor sigurie në Europë, Ballkan dhe Shqipëri, pavarësisht raporteve të mira midis dy vendeve. NATO ka marrëveshje të avancuara me Izraelin vetëm në programin e Dialogut të Mesdheut.
Përfshirja e Izraelit në çështje të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare përjashton automatikisht shtetet me kontribut historik dhe tradicional. Këto shtete, si SHBA, Turqia, Italia, Gjermania etj., kanë kontribute thelbësore në sigurinë tonë dhe të Kosovës, si dhe na kanë ndihmuar falas në momentet më të vështira të historisë sonë, si p.sh. pas vitit 1997.
Kryeministri Rama synon të përfshijë Izraelin jo vetëm në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes sonë kombëtare, por edhe rajonale. Ai synon që pilotët dhe ushtarakët e vendeve rajonale, anëtare të NATO-s, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, por edhe Kosova, të trajnohen në këto dy shkolla sipas standardeve dhe praktikave të Forcave Speciale të Izraelit. Ai synon të përdorë Shqipërinë si një krye-urë rajonale.
Z. Rama është përfshirë në një ekuacion sigurie kombëtare, rajonale dhe europiane, me pasoja për veten, por edhe për Shqipërinë. Miqësia midis vendeve tona është e rëndësishme, por Izraeli asnjëherë nuk ka qenë faktor sigurie për Shqipërinë dhe rajonin.
Shqipëria, që nga viti 1992, ka vendosur të jetë pjesë e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes euro-atlantike dhe jo euro-aziatike. Për më tepër, një lëvizje e tillë e Z. Rama vë në diskutim raportet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me SHBA-në dhe aleatët e tjerë në NATO.
Ky ridimensionim i orientimit tradicional të deritanishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së Shqipërisë ndodh në mospërputhje me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, si dhe atë Ushtarake, të miratuara vetëm dy vjet më parë.
Z. Rama, Izraeli është shtet mik i Shqipërisë, por politika juaj klienteliste e jashtme nuk mund të çorientojë strategjinë kombëtare mbi sigurinë, mbrojtjen dhe aleancat. Keni hyrë në zonë të minuar./fb

















