Bota

Siri – Zbulohet në Afrin një konak i përdorur si shtab i zonës nga Ataturku në vitin 1918

Një shtëpi e përdorur si shtab nga themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemal Ataturk, është zbuluar në qytezën Raxhu të spastruar nga prania e organizatës separatiste terroriste, YPG/PKK, në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” të ndërmarrë nga ushtria turke në distriktin Afrin të Sirisë.

Dr. Suleyman Hatipoglu nga Fakulteti i Historisë së Universitetit “Mustafa Kemal” të Hatajit, shpjegoi për gazetarët ekspeditën e Ataturkut në Raxhu, në vitin 1918.

Siç bën të ditur Hatipoglu, në vitin 1918, ndërkohë që Ataturku ishte komandant i Armatës së 7-të në Palestinë, ai ka shkuar fillimisht në qendër të Halepit dhe më pas është pozicionuar në distriktin e Afrinit.

Ai është dislokuar së bashku me njësitë nën urdhrat e tij në stacionin e trenit të Katmas, në Raxhu.

Ushtria osmane dhe njësitë lokale nën komandën e Ataturkut kanë shënuar edhe një fitore kundër trupave britanike në Katma.

“Si rezultat i punës së Kuvendit Civil Lokal, i cili u themelua pas çlirimit të qendrës së Afrinit më 18 mars 2018 përmes operacionit ‘Dega e Ullirit’, u zbulua edhe konaku që Ataturku pati përdorur si shtab të zonës për të hartuar strategjitë luftarake në Katma”, deklaroi dr. Hatipoglu.

Ndërtuar në vitin 1890, konaku në fjalë është në gjendje të rrënuar për shkak të mosmirëmbajtjes.

Kuvendi Civil Lokal i Afrinit ka shprehur dëshirën që konaku të restaurohet dhe të kthehet në gjendjen origjinale, në mënyrë që ky objekt historik shumë domethënës të mos harrohet duke u lënë në mëshirë të fatit./ trt

OPINIONE