Autoritetet siriane kanë ndaluar dy anëtarë të lartë të fraksionit militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili mori pjesë në sulmet ndaj Izraelit nga Gaza në tetor 2023, konfirmuan të martën krahu i armatosur i grupit dhe një zyrtar sirian.
Në një deklaratë, Brigadat Al-Kuds bënë të ditur se Khaled Khaled, që drejton operacionet e Xhihadit Islamik në Siri, dhe Yasser al-Zafari, përgjegjës për komitetin organizativ, kanë qenë në paraburgim sirian prej pesë ditësh.
Grupi deklaroi se burrat janë ndaluar “pa asnjë shpjegim për arsyet” dhe “në një mënyrë që nuk do të kishim dashur ta shihnim nga vëllezërit tanë”, duke kërkuar lirimin e tyre.
Një zyrtar nga Ministria e Brendshme e Sirisë konfirmoi arrestimet, por nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme mbi arsyet e ndalimit. Edhe një burim palestinez në Damask e konfirmoi ndalimin.
Xhihadi Islamik, i cili është aleat i Hamasit dhe përfitues i mbështetjes iraniane, ka prej vitesh seli jashtë vendit në Siri dhe Liban.
Por aleatët e Xhihadit Islamik në të dy vendet – Liban dhe Siri – kanë pësuar goditje të rënda kohët e fundit. Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit vitin e kaluar e ka dobësuar ndjeshëm Hezbollahun e mbështetur nga Irani në Liban, ndërsa në Siri, presidenti Bashar al-Assad – aleat i ngushtë i Teheranit – është rrëzuar nga pushteti pas një ofensive rebele.
Udhëheqja e re islamiste në Damask ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe synon të rindërtojë mbështetjen rajonale dhe ndërkombëtare për Sirinë, përfshirë lehtësimin e sanksioneve dhe financimin e procesit të rindërtimit pas një lufte civile 14-vjeçare. Sipas agjencisë Reuters, muajin e kaluar SHBA i ka dhënë Damaskut një listë me kushte për heqje të pjesshme të sanksioneve – një prej tyre: mbajtja në distancë e grupeve palestineze të mbështetura nga Irani.
Izraeli ka ndërmarrë prej vitesh sulme kundër Xhihadit Islamik në territorin sirian. Muajin e kaluar, ai deklaroi se kishte goditur një ndërtesë në periferi të Damaskut që, sipas tij, përdorej si qendër komanduese nga grupi – diçka që Xhihadi Islamik e mohoi./gazetaimpakt/reuters