Sistemi i ri nga 1 prilli, si llogariten siguracionet e makinave

Nga 1 prilli nis mbajtja e historikut të dëmeve për drejtuesit e makinave sipas sistemit bonus-malus. Udhëzimi i ri i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikon që për një vit do të krijohet historiku i dëmeve të shoferëve ndërsa zbatimi i tarifave mbi bazën e këtij sistemi do të nisë me 1 prill 2020, shkruan “TV Scan”.

Historiku do të përcaktojë se ata që kanë bërë aksidente gjatë një viti do të paguajnë çmim më të lartë të sigurimit ndërsa kush nuk ka kryer aksident do të paguajë një tarifë më të ulët. Udhëzimi përcakton se do të ketë gjithashtu edhe ulje të tarifës për makinat me fuqi të uilët motorike ndërsa një faktor që do të ndikojë në përcaktimin e çmimit do të jetë edhe territori ku përdoret mjeti.

Gazeta “Panorama” shkruan se sistemi bonus-malus për çmimet e siguracioneve parashikon 18 kategori apo klasa ku për secilën kategori ka një koeficient. Koeficienti më i ulët është për ata që nuk kanë bërë aksidente dhe vjen me rritje për ata që gjatë vitit kanë bërë të tilla.

Sa më i lartë koeficienti( si rrjedhojë e aksidenteve të kryera) aq më e lartë dhe tarifa që duhet paguar për siguracionin e automjetit. Referuar tabelës, për klasën e parë, ata që nuk kanë bërë asnjë aksident, koeficienti është 0.5 dhe vjen në rritje për ata që kanë bërë aksidente duke shkuar në maksimum në koeficientin 2.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne