Për të blerë një automjet, apartament, apo çdo mall e shërbim tjetër të kushtueshëm, shqiptarët mund të paguajnë “cash” të gjithë shumën, pavarësisht se sa e lartë mund të jetë ajo. Duke ndjekur rekomandimet e Komisionit Europian, Shoqata e Bankave rekomandon vendosjen e një tavani për pagesat “cash”, në vlerën e jo më shumë se 700 eurove.
“Nisma që ka të bëjë me formalizimin e pagesave është e mirëpritur, por duhet të jetë e mirë-menduar. Ka ardhur realisht koha që edhe ne të bëjmë si vendet e tjera”, u shpreh për A2 Bora Feri, eksperte e sistemit të pagesave.
Në ekonominë shqiptare qarkullojnë aktualisht rreth 1,63 trilionë lekë, nga të cilat mbi 400 miliardë apo gati 24% e totalit, jashtë sistemit bankar. Ekspertë të sistemit të pagesave vlerësojnë se caktimi i këtij tavani nga njëra anë do të ulte sasinë e parave jashtë bankave e nga tjetra do të ndihmonte qytetarët në veçanti dhe ekonominë në përgjithësi. /Pamfleti