Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku efektivë të Drejtorisë së Antiterrorit kanë ndaluar imamin e njohur ndërkombëtarisht, Imran N. Hosein, 83 vjeç, me origjinë nga Ishulli Trinidad dhe Tobago.
Lajmi u bë i ditur nga gazetari Gjergji Thanasi, i cili përmes një postimi publik ka njoftuar se imami kishte mbërritur në Tiranë dhe kishte prenotuar për të qëndruar në një hotel në Plazhin e Durrësit. Sipas tij, Policia e Durrësit ka kontaktuar edhe me stafin e hotelit “Empire”, ku ishte planifikuar akomodimi i imam Hoseinit, për të marrë informacione shtesë.
Thanasi ka ngritur dyshime serioze se ndërhyrja e autoriteteve shqiptare mund të jetë bërë pas ndikimit të diplomatëve të një ambasade të huaj në Tiranë, që nuk i përket ndonjë vendi anëtar të NATO-s, duke nënkuptuar se pas këtij veprimi mund të fshihet ndikimi i Izraelit.
Gazetari gjithashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj imam Hoseinit, duke theksuar moshën e thyer dhe problemet shëndetësore të tij, ndërsa ka paralajmëruar efektivët e antiterrorit që të mos ushtrojnë dhunë gjatë marrjes në pyetje.
“Larg qoftë po u mbeti në dorë imami, kryeministri Edvin dhe ajo odaliska që ka vënë ministre të Brendshme, do jua lënë fajin juve… Nëse Imamit i pushon zemra gjatë marrjes në pyetje, ju do shkoni në burg, se eprorët tuaj do shfajësohen,” – shkruan Thanasi në reagimin e tij.
Aktualisht nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo Ministria e Brendshme lidhur me ndalimin e imam Imran N. Hoseinit, i cili njihet në botën islame për predikimet e tij teologjike dhe qëndrimet e hapura kundër politikave izraelite në Lindjen e Mesme.
Gazetarët janë ftuar të hetojnë më tej rrethanat e ndalimit, që sipas burimeve të para, mund të përbëjë një incident diplomatik me përmasa ndërkombëtare./gazetaimpakt
















