Skandal/ Teksti i Historisë në shkolla deformon idetë e nxënësve

Nga Elton Hatibi

Tekstet shkollore të lëndës së Historisë janë një laborator i strukturuar i shpërndarjes së koncepteve dhe ideve deformuese te nxënësit tanë. Në temën “Islamizimi i shqiptarëve”, një nëntemë titullohet “Islamizimi i territorit”. Nuk e has tjetërkund këtë koncept. Territori kontrollohet, mbrohet, sulmohet, zgjerohet, bombardohet etj, por, po të përdorim një analogji, nuk krishterizohet, budistizohet, fashistizohet, apo komunistizohet.

Domethënë, Perandoria Osmane e zgjeroi territorin e saj politik, dhe si rrjedhoje nxiti islamizimin e popullsive respektive, aty ku nuk kishte myslimanë. Italia fashiste e zgjeroi territorin e saj politik, dhe u përpoq të përhapte idologjinë e saj politike në territoret që kontrollonte. Por autori me “islamizim territori” ka parasysh diçka tjetër. Ai me këtë koncept do t’i përcjellë nxënësve të rinj idenë e ndryshimit të peizazhit urban në Ballkanin osman. Dhe këtë nuk ia atribuon “perandorisë” apo autoriteteve perandorake, por vetë fesë islame?! “Nëpër qytete feja islame filloi të shpaloste elementet e para të islamizimit të territorit…” ( nuk e di pse kjo fjali me kujton propagandën e elektrifikimit të vendit, ku errësira dhe bijat e saj u tërhoqën nga territori)?! Dy janë realitetet historike me të cilat autori mundohet të ilustrojë konceptin e tij.

E para, me transformimin e faltores kryesore në qytetet e pushtuara, nga kishë në xhami, për të treguar epërsinë politike dhe shpirtërore të pushtetit të ri, dhe e dyta, me ndërtimin e komplekseve urbane islamike (të ashtuquajturat kullije, külliye) në qytetet osmane (të ndërtuara rishtazh apo të pushtuara). Së pari, po të marrim si shembull qytetin e Selanikut, qytetin më të madhe europian të osmanëve (përveç Stambollit), megjithëse osmanët transformuan disa nga kishat kryesore në xhamia, qyteti në 500 vjetët e tij nën sundimin osman nuk ndryshoi nga ana demografike në favor të popullsisë myslimane. Përkundrazi, gati gjysma e popullsisë së saj ishte hebreje, duke shtuar pas tyre të krishterët, si grupin e dytë komunitar.

Çfarë mbeti nga “islamizimi i territorit” në këtë rast, vetëm minaret e xhamive, përkrah kishave dhe sinagogave (që dhe vetë autori e përmend që nuk prekeshin). Në rastin e ndërtimit të komplekseve urbane (xhami, teqe, medrese, hamame, hane, imarete, etj), autori si shembull përmend themelimin e qytetit të Tiranës, ku u ndërtua një xhami, një hamam dhe pazari. Por si mund të ndodhte ndryshe, kur autoriteti politik ishte në dorën e myslimanëve? Të ndërtonin një kishë dhe një manastir pranë pazarit?! Tema është shumë më komplekse, por për sot po e mbyllim këtu./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress