Skandali i Onkologjikut, ministrja e Shëndetësisë: Çuarja e atyre mjekëve para drejtësisë shkuli një tumor korrupsioni

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu në takimin e sotëm bashkë më kryeministrin Edi Rama me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas skandalit në spitalin Onkologjik, është shprehur se me çuarja e atyre mjekëve para drejtësisë shkuli një tumor korrupsioni dhe harbutllëku ekstrem.

“Ne, ministria e Shëndetësisë duhet të marrim masa konkrete dhe të reagojmë menjëherë për të mos pasur më hapësira për praktika abuzive”, u shpreh ajo, ndërsa shtoi në onkologjik ka mjekë qe punojnë çdo ditë dhe nuk e meritojnë njollën e zezë që u vunë ish-kolegët e tyre.

Fjala e ministres së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Albana Koçiu

Dua që të jem sa më e qartë qysh në fillim për daljen në dritë të zullumit të patolerueshëm në spitalin onkologjik.

E para, falenderoj prokurorët që hodhën dritë mbi atë zullum dhe besoj se shpreh edhe në emër të të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, urimin tim që ata individë të gjykohen me zero tolerancë e të marrin dënimet e merituara.

E dyta, u shpreh keqardhjen për këtë ndotje të bluzës së bardhë, të gjithë mjekëve e infermierëve të përkushtuar në shërbimin tonë shëndetësor.

Kam folur më shumë nga ju këtu dhe e kam ndjerë deri në palcë jo thjesht mërzinë,

Po plagosjen e rëndë morale për atë neveri të madhe.

E them me plot gojën se shumica juaj nuk janë si ata, shërbimi ynë shëndetësor nuk është ai – madje – edhe në vetë spitalin onkologjik ka mjekë e infermiere të përkushtuar, të cilët absolutisht nuk e meritojnë njollën e zezë që u vunë ish-kolegët e tyre të paskrupullt.

Por, po me plot gojën, them se ndërkohë që çuarja përpara drejtësisë e atyre individëve shkuli një tumor korrupsioni dhe harbutlleku ekstrem nga onkologjiku, ne, ministria e shëndetësisë dhe stafi drejtues i QSU-së duhet të reagojmë duke ndërmarrë masa e hapa konkretë, që në ketë institucion qendror të shërbimit shëndetësor të mos ketë hapësirë për njerëz e praktika abuzive të asnjë natyre.

E treta, dua t’ju bëj me dije se gjatë këtyre ditëve kemi punuar intensivisht për disa ndërhyrje të shpejta dhe kuptimplota në ligjin “për urdhrin e mjekëve në republikën e Shqipërisë, i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata që do të duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. (ky autorizim duhet të konfirmohet nga ministria e shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital).

Kjo është një praktikë e toleruar përgjatë gjithë këtyre viteve pas ndryshimit të sistemit dhe e zgjatur nga fakti se vetëm kjo shumicë qeverisëse vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kërkon disa vite edhe në kushte shumë me normale se sa kushtet skandaloze të shëndetësisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh.

Fatmirësisht sot jemi në hapin e fundit dhe kemi aktualisht në fier, memorialin, spitalin e parë me autonomi. Së shpejti QSUT dhe 12 spitale të tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura.

Por megjithatë, masat për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik nga mjeku dhe pacienti në spitalin privat do t’i marrim menjëherë.

C) po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në universitetin e mjekësisë.

Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi.

Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.

D) do të thjeshtojmë në këtë ligj edhe procedimin disiplinor

Aktualisht procedimi disiplinor është kompleks, me komisione disiplinore rajonale, qendrore, ankimime administrative dhe më pas ato gjyqësore.

Jo! Do të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe nje komision apelimi. Vendimet e këtij të fundit mund të ankimohen në gjykatën administrative, por ky ankimim nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit te komisionit të apelimit.

Natyrisht të gjitha këto ndërhyrje të menjëhershme kërkojnë edhe ndryshime të masave disiplinore ekzistuese.

Prandaj masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh.

Konkretisht, sipas kësaj pike të fundit, individëve që njollosin institucionin, duke shkelur çdo normë e parim jo thjesht profesional, po edhe human, përveç ndëshkimit të merituar nga drejtësia do t’u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë për gjithë jetën.

Propozime të ngjashme të përshtatura do të bëhen edhe për profesionet e tjera.

Siç e vute re, nuk përmenda disa nga afatet për masat e shkeljeve të lartpërmendura dhe jo rastësisht, por sepse ato së bashku me vetë pikat që prezantova, janë ende në diskutim edhe për pak ditë, ku do të përfshijmë edhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore jo vetëm publike, përpara sesa qeveria të vendosë miratimin e tyre jo me vonë sesa java e tretë e korrikut.

Dua t’u shpreh së fundmi mirëkuptimin më të thellë të gjithë qytetarëve me të drejtë të neveritur e të revoltuar njësoj si dhe unë vetë, nga zullumi i zbuluar në spitalin onkologjik dhe dua t’i siguroj, edhe në emrin tuaj, se kjo ngjarje e rëndë do të shërbejë si një mësim i paçmuar për të ndërtuar me tutje një shërbim shëndetësor të denjë për Shqipërinë europiane./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne