Skandali/ Klosi premton të heqë guroret në Krujë, Gjiknuri jep leje të reja!

Guroret dhe furrat e gëlqeres po shëmtojnë dita ditës Krujën, një nga qytetet më historike në Shqipëri. Shumëkush mund të shohë masakrën që po u bëhet maleve dhe kodrave përreth këtij qyteti. Në vend të pemëve të dikurshme, nga ajo zonë kanë mbetur male të gërryera, kamionë të rëndë dhe tym nga furrat e gëlqeres. Pak muaj më parë, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, shkoi në terren dhe paralajmëroi se do të mbyllë këto gurore. Sipas tij, nuk do lejohet të punohet pa një plan, ndërsa u proceduan edhe disa pronarë të guroreve për ndotje mjedisi.

Megjithatë, nuk kaluan pak javë nga ky “premtim” dhe vjen surpriza e radhës! Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka dhënë me ankand disa zona përreth Krujës, për gurore. Pra, nga njëra anë ministri Klosi premtoi mbylljen e tyre dhe nga ana tjetër, Gjiknuri jep leje të reja. Duket se dy ministrat po bëjnë rolin e “policit të mirë (Klosi) dhe policit të keq (Gjiknuri)”.
Por, rreziku që i kanoset zonës, është shkatërrimi, ku vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe në një qytet historik, ka filluar një nga masakrat më të mëdha mjedisore. E gjithë ajo kurorë e gjelbër, duke filluar nga Fushë Kruja, Mamurrasi e Kruja, po prishet dita ditës dhe po zëvendësohet nga pluhuri dhe prerja në masë e pemëve që kanë mbetur.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e dy tenderëve që ka bërë ministri e Infrastrukturës dhe Energjisë. I pari bën fjalë për një leje në zonën minerare për objektin Shpërdhet në Mamurras. Në këtë zonë ka mineral, gur gëlqeror. Firma fituese do të investojë 28.000.000 milionë lekë dhe do të marrë një sasi të mineralit gur gëlqeror prej 10.000 m3. Sipas dokumenteve, vlera e produkteve minerare është 120.000.000 lekë.

Ndërkohë, leja e dytë e Gjiknurit është dhënë në zonën minerare për objektin Droje në Kurbin. Edhe në këtë vend, është dhënë leje për llojin e mineralit gëlqeror. Firma fituese do të bëjë një investim prej 28.000.000 lekësh të reja, ndërsa do të përfitojë rreth 10.000 m3/vit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne