Skandali me “Sterilizimin”/ Kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, biznesmeni dhe të akuzuarit e tjerë do të dalin sot para gjykatës

Të martën (3 tetor), ishte parashikuar që të zhvillohej seanca gjyqësore në ngarkim të 8 personave që akuzohen për skandalin e koncesionit të sterilizimit.

Bëhet fjalë për një nga aferat më të mëdha brenda dikasterit të Shëndetësisë, ndërkohë që në pranga ka shkuar edhe ish-zëvendësministri bashkë me mikun e tij dhe të dikasterit, biznesmenin Ilir Rrapaj.

Seanca për 6 nga 8 personat e akuzuar për këtë dosje, të cilët kanë ankimuar masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pritet të zhvillohet ditën e sotme, pasi u bë me dije se shkak për rivlerësimin e masës ishte moslegjitimimi i avokatëve.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, biznesmeni që fitoi tenderin Ilir Rrapaj bashkë me Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Arben Gjata dhe Genc Burazeri janë personat që kanë ankimuar masat në Apelin e Posaçëm.

Ndërsa Naile Ajazi dhe Petro Mersini, që ndodhen nën masën detyrim paraqitje, nuk kanë bërë ankim. Koncesioni i sterilizimit ka çuar pas hekurave, ish-ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Ish-zëvendësministri do të përballet me drejtësinë me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”.

HETIMET E SPAK

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, pronari i kompanisë “Investital LLC”, u arrestuan me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.

Biznesmeni Rjepaj ndodhej me pushime në Dhërmi kur i janë vënë prangat me 16 gusht të këtij viti, pasi kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK lidhur me procedurat e koncesionit për sterilizimin e personalizuar të pajisjeve kirurgjikale njëpërdorimshe.

Ndërkohë, u mësua se ishzëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ka qenë në krye të komisionit të prokurimit publik kur u hap gara për koncesionin. Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, Gjyqtari i GJKKO, Erion Bani, caktoi masa sigurie edhe ndaj 6 personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.

“Arrest shtëpie” u caktua për Saimir Kadiun, drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa për mjekun Arben Gjata, me detyrë shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë është caktuar masa “detyrim me paraqitje”./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne