Skandali tek Onkologjiku, Arlind Qori: Rama mbetet përgjegjësi dhe përfituesi kryesor i këtij sistemi që zhvat dhe vdes të sëmurët

“Lëvizja Bashkë” përmblodhi disa prej reagimeve të fundit të kreut të saj, Arlind Qori, për skandalin e zbuluar te Spitali Onkologjik në Tiranë. Sipas Qorit, bashkë me luftën e paepur kundër korrupsionit, Shqipëria ka nevojë edhe për një ndryshim radikal në mendësi, sepse asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë zhvatjen e tjetrit, sidomos të më të dobtit. Ai tha se kryeministri mbetet përgjegjësi dhe përfituesi kryesor i këtij sistemi që zhvat dhe vdes të sëmurët.

Disa nga reagimet e Qorit

“Bashkë me luftën e paepur kundër korrupsionit, kemi nevojë edhe për një ndryshim radikal në mendësi. Njeriu, sidomos funksionari publik, duhet të mësohet të jetojë me punën/rrogën e vet. Nëse nuk i mjafton, duhet të organizohet bashkë me të tjerët për të kërkuar të drejtën e mohuar, të kualifikohet më shumë ose të ndërrojë punë. Asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë zhvatjen e tjetrit, sidomos të më të dobtit. Aq më pak mund të tolerohet pazari me jetën dhe shëndetin.
Çdo alternativë ndaj kësaj është vazhdim në shtegun ku njeriu për njeriun bëhet ujk”.

“Çka po ndodh në spitale ka nevojë për hetim të plotë të të gjithë hierarkisë shtetërore për korrupsion – duke nisur nga kontratat koncesionare, mungesa e aparaturave në spitalet publike dhe privilegjet e spitaleve private. Po nuk mund të mjaftohemi me kaq. E keqja ka hyrë shumë thellë prej kohësh. Ndaj është e domosdoshme ngritja e një platforme publike ku viktimat e panumërta të korrupsionit dhe keqmjekimit në spitale të kenë mundësi të rrëfejnë përvojën personale dhe të familjarëve të tyre. Vetëm kështu do të mund të kurojmë institucionet shëndetësore, si dhe të rigremë moralin e shtrirë përtokë të etikës mjekësore”.

“Në një sistem të korruptuar, askush nuk vjedh vetëm, as vjedh vetëm për veten. Ky sistem operon sipas logjikës feudale, ku njeriu trajtohet si bujkrob të cilit i merret haraçi. Mjeku i korruptuar, në këtë rast, është senjori i vogël, që një pjesë të haraçit e mban për vete dhe pjesën tjetër e çon lart, të një senjor më i madh (drejtori i spitalit, p.sh.), i cili i mundëson të zhvatë pa i hyrë gjemb në këmbë. Po edhe drejtori ka një senjor mbi krye, ministrin, të cilit i dërgon një pjesë të pjesës së tij. Mbi ministrin është vetë sulltani (kryeministri), i cili merr pjesën e luanit. Ndryshe nga mjeku i korruptuar, që e zhvat drejtpërdrejt pacientin dhe e di thellë-thellë që është maskara, sulltani nuk i ndyn duart drejtpërdrejt dhe bën vaki të besojë vërtet se nuk është aq maskara sa të zhvatë të sëmurin me kancer. Sulltani zhvat me duart e të tjerëve, duke i lejuar vetes një distancë të rrejshme higjienike. Mirëpo ai mbetet përgjegjësi dhe përfituesi kryesor i këtij sistemi që zhvat dhe vdes të sëmurët”./tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne