Socialistët tërhiqen për të tretën herë, bllokohet rritja e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses! Opozita nuk u përfshi në debate!

Për të tretën herë, socialistët tërhiqen nga votimi i ndryshimeve ligjore që rrit pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. As në seancën e djeshme ata nuk arritën të siguronin mbështetjen e opozitës, madje as të Lulzim Bashës, i cili më herët kishte deklaruar se do të jepte votën pro. Teksa deputetë të tjerë të PD e konsiderojnë si një përpjekje për të blerë gjyqtarët e Kushtetueses, në seancë plenare kritikat nuk munguan as nga vetë socialistët.

Ndaj me propozim të kryetarit të grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi, Kuvendi shtyu votimin e projektligjit për pagat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Propozimi i Çuçit u votua nga shumica socialiste, ndërsa mori 2 vota kundër nga opozita.

“Në bazë të nenit 49/1 kërkoj që ligji që kemi sot për Gjykatën Kushtetuese që kërkon 3/5 të shtyhet votimi dhe të bëhet në një seancë tjetër”, tha Çuçi.

Opozita është shprehur kundër këtij ligji, pasi sipas saj qeveria synon të blejë Kushtetuesen, ndaj deputetët demokratë nuk u përfshinë në debate. Por në seancën e djeshme socialistët ishin kritikët më të fortë të këtij propozimi të qeverisë që rroga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të bëhet rroga më e lartë në vend, 7.7 milionë lekë, dhe e anëtarit të kësaj gjykate 6.4 milionë lekë. Dy prej deputetëve më me shumë eksperiencë, Fatmir Xhafaj e Erion Braçe, kritikuan masën e rritjes për 9 gjyqtarët. Në mënyrë të veçantë Xhafaj kritikoi shtesën prej 58% që Kushtetuesja me këtë ligj merr për vështirësi pune duke vënë në dukje se SPAK-u, Gjykata e Posaçme e Gjykata e Lartë kanë një detyrë shumë më të vështirë.

“Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetues na paskan të njëjtën vështirësi pune me gjyqtarët, prokurorët, drejtuesit e SPAK, kjo nuk do të ishte lajthitje, por çmenduri në ditë vere”, tha Fatmir Xhafaj. Ish ministri i Drejtësisë solli në vëmendje se asnjëherë më parë rritja e pagës për Kushtetuesen nuk ka ardhur nga qeveria, por është miratuar nga parlamenti për të mbrojtur pavarësinë e një gjykate që merr në shqyrtim vendimet e qeverisë.

“Ata duhet të dëshmojnë se drejtësi jo vetëm që nuk është një mall që shitet e blihet, por as edhe një shërbim që shkëmbehet me privilegje të pamerituara apo të pajustifikuara të çfarëdolloj qofshin ato”, shtoi Xhafaj.

Edhe socialisti Erion Braçe doli kundër. “Çmimi i punës nuk përcaktohet nga karrigia, përcaktohet nga puna dhe kjo historia hajde rrisim, hajde rrisim, hajde rrisim pa kufi rroga do vijë një moment që do kthehet në flluskë në këtë vend”, deklaroi Braçe.

Propozimi për rritjen e pagës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese erdhi nga qeveria në parlament vjet në shtator, por deri më tani qeveria nuk ka arritur të bindë as opozitën dhe as të gjithë deputetët socialistë për të votuar pro këtij ligji. Me anë të këtyre ndryshimeve ligjore, rroga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet rroga më e lartë në vend, 7.7 milionë lekë, dhe e anëtarit të kësaj gjykate 6.4 milionë lekë.

Kujtojmë që ky projekt ligj parashikon se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të jetë e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Me ndryshimet e propozuara rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra, paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne