Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, maturantët do të testojnë njohuritë në gjuhën e huaj

Mbahet sot provimi i parë i Maturës Shtetërore. Sot 28 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë do të testojnë njohuritë e tyre në provimin e gjuhës së huaj. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me grupin e monitoruesve ku përcaktoi detyrat dhe penalizimet nëse rezultojnë shkelje. Manastirliu shprehu urimet më të mira dhe inkurajon maturantët që sot nisin këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, e më pas me gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe lëndët me zgjedhje.

“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit gjithashtu në fjalën e saj inkurajoi maturantët që të zgjedhin universitetet shqiptare për të vijuar studimet e tyre. “Shumë prej jush e kanë vendosur tashmë ku do të studiojnë, të tjerë janë duke e vendosur pikërisht tani, por ajo që dua t’ju them është se sistemi ynë i arsimit universitar, universitetet tona, po ju presin krahëhapur për t’ju mbështetur në realizimin e aspiratave tuaja. Universitetet tona sot ofrojnë një gamë të gjerë programesh akademike që mbulojnë interesat dhe pasionet tuaja. Ato kanë hyrë tashmë në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe po lidhin marrëveshje të shumta me universitete të ndryshme në botë për programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, si dhe për kërkimin shkencor. Ne po punojmë çdo ditë që oferta akademike të jetë sa më e kompletuar dhe tërheqëse për ju, e mbi të gjitha, të garantojë punësimin e secilit prej jush.”

Dhe në fund, Ministrja, Manastirliu inkurajon maturantët që të punojnë fort për realizimin e aspiratave të tyre.
“Të dashur maturantë, guxoni të ëndërroni, punoni fort për të realizuar aspiratat tuaja, gëzoni veten tuaj, familjet, mësuesit tuaj dhe duajeni fort njëri-tjetrin. Te gjithë maturantëve kudo në Shqipëri, Suksese!”, mbyll video-mesazhin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu./BW

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne