Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dalë sot me një njoftim zyrtar ku sqaron me detaje operacionin e organizuar një ditë më parë, ku në bashkëpunim me Europol u lëshuan 21 masa arresti.
Në njoftimin e SPAK, sqarohet roli i gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno, ndaj të cilëve u dha masa e detyrimit të paraqitjes.
Sipas SPAK, dyshohet se bashkëpunimi me gazetarët ishte një strategji e grupit të Suel Çelës për “manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.
Hoxha dhe Qyno sipas SPAK, kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.
Njoftimi i SPAK
M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.
Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik./TOpChannel