Hetimet ndaj Pëllumb Gjokës zbuluan sipas SPAK se 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës, ku qeveria ka miratuar një projekt investimi strategjik, dyshohet se u përfituan përmes falsifikimeve. Tre parcela pyll në Pulaj-Plazh në Velipojë u sekuestruan.
Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten sekuestrimin e tre pacelave pyll në zonën Pulaj-Plazh Velipojë, pasi dyshohet se ato janë përfituar përmes falsifikimeve nga Pëllumb Gjoka me ndihmën e personave të tjerë. “Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi P. Gj., në bashkëpunim me persona të tjerë”, thuhet në deklaratën për shtyp të SPAK.
Gjoka, 49 vjeç, i cili u arrestua në korrik me akuzat si anëtar i një organizate kriminale që kishte kryer ndër të tjera vrasje e pengmarrje, është një biznesmen i shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama “investitor strategjik” me një projekt që planifikonte investimin e 52 milionë eurove në një zonë të virgjër në plazhin e Velipojës në Shkodër, në shkëmbim të së cilit, shteti shqiptar angazhonte burimet e taksapaguesve për të siguruar furnizim me ujë, drita, kanalizime e shërbime të tjera publike.
Bashkë me një grup personash të tjerë përfshi edhe dy drejtues të policisë, Gjoka u arrestua pas një dosje hetimore të ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka mbi 12 akuza për vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikësh, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.
SPAK thotë se ishin hetimet e kësaj çështje që ngritën dyshimet edhe mbi tokat në zonën e Velipojës, për të cilat me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Posaçme ka miratuar sekuestron.
“Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.422 datë 23.10.2023 ka vendosur masën së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, bazuar në nenin 274 të K.Pr.Penale dhe 36 të Kodit Penal mbi 3 (tre) pasuritë të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) m2, si më poshtë: Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregtare …….; Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregtare ……..; Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj”, thuhet në njoftim.
Pëllumb Gjoka është pronar i kompanisë Imperial Group, me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera. Në vitin 2021, qeveria shqiptare i dha kësaj kompanie statusin Investitor Strategjik për projektin Silver Sand Resort, një projekt masiv që duhet të shtrihet në një sipërfaqe prej 113 mijë metra katrorë, për ndërtimin e pallateve, vilave dhe hoteleve. Sipas dokumenteve të publikuara, vlera e planifikuar e investimit ishte 52 milionë euro, nga të cilat, një pjesë do të financohej nga shitja gjatë ndërtimit të apartamenteve dhe vilave. Qeveria i dha plazhin përgjatë zonës zhvillimore subjektit për shfrytëzim ekskluziv për tridhjetë vjet. Sipas dokumentit të dhënies së statusit, taksapaguesit shqiptarë duhej të subvenciononin furnizimin e zonës me energji elektrike, përmes ndërtimit të një linje të re, furnizimin me ujë dhe heqjen e ujërave të zeza./BIRN