Spanjë, rreth 440 mijë të rritur viktima të abuzimit seksual në institucionet katolike

Sipas raportit të parë zyrtar të Spanjës rreth abuzimeve seksuale në institucionet katolike, tregon se rreth 440 mijë njerëz, apo 1.13 për qind e popullsisë aktuale të rritur të vendit, janë abuzuar në rininë e tyre.

Raporti i pavarur prej 770 faqesh u përpilua nga Ombudsmani spanjoll Angel Gabilondo dhe iu dorëzua Parlamentit të Spanjës të premten. “Rastet u mundësuan nga heshtja, heshtje nga ata që mund të kishin bërë më shumë për të shmangur këtë”, tha Gabilondo në një konferencë për media.

Ai kritikoi Kishën Katolike dhe autoritetet e tjera për “përgjigjen e pamjaftueshme” ndaj viktimave, të cilat shpesh “u riviktimizuan” kur ata kërkuan drejtësi. Gabilondo kritikoi praktikën e zakonshme të transferimit të abuzuesve në famulli të tjera, shkolla fetare apo edhe në vende të tjera.

Raporti synon të theksojë “ndikimin shkatërrues” në jetën e viktimave dhe të ofrojë kornizë për autoritetet për të adresuar dekadat e padrejtësisë në kishën katolike dhe shoqërinë spanjolle. Gabilondo shprehu optimizëm se disa sektorë të kishës janë përmirësuar vitet e fundit në lidhje me trajtimin e abuzimit seksual. Megjithatë, ai pranoi se disa autoritete brenda kishës ishin të zemëruar dhe jo bashkëpunuese gjatë hetimit.

“Ne u shkruam të gjithë peshkopëve dhe disa hapën arkivat e tyre. Por, jo të gjithëve. Disa peshkopë na qortuan, jo vetëm duke refuzuar të bashkëpunonin, por edhe duke thënë: ‘Pse po ngatërrohesh me këtë?'”.

Ligji spanjoll nuk parasheh që Kisha Katolike të ndajë arkivat e saj me hetuesit spanjollë, por avokati i popullit bëri thirrje për qasje të plotë. Ai bëri thirrje për më shumë mbështetje për personat që ishin viktima të Kishës Katolike, përfshirë dëmshpërblime financiare dhe psikologjike.

“Njerëzit kanë vrarë veten për këtë, ka njerëz që nuk u shëruan kurrë, të cilët nuk mund ta tejkalonin kurrë dhimbjen”, tha ai.

Zyra e Avokatit të Popullit filloi hetimet pasi mori “dritën e gjelbër” nga qeveria në korrik 2022, duke arsyetuar se donin të nxirrnin raportin sa më shpejt. “Kemi mbërritur vonë me këtë raport në Spanjë. Këtë tashmë e kanë bërë vendet përreth nesh. Viktimat nuk mund të presin më”, tha zyra.

Raporti vlerësoi numrin e viktimave bazuar në një anketë të kryer nga zyra kërkimore sociale “Gad3”, e cila intervistoi më shumë se 8.000 njerëz. Gjithashtu u desh dëshmia e drejtpërdrejtë nga personat që u paraqitën vullnetarisht.

Sondazhi i Gad3 sugjeron se rreth 0.6 për qind e popullsisë së rritur aktuale është abuzuar nga priftërinjtë ose figura të tjera fetare kur ishin të rinj, ndërsa pjesa e mbetur prej 0.53 për qind e numrit të përgjithshëm të të abuzuarve ishte kryer nga njerëz laikë që punonin në institucionet katolike./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne