Kryeministri irlandez: Lufta mes Izraelit dhe Palestinës nuk ka filluar me sulmet e 7 tetorit

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar tha se konflikti izraelito-palestinez nuk filloi me sulmet e 7 tetorit, duke shtuar se konflikti nuk do të përfundojë me luftë tokësore në Gaza.

Sipas “Irish Times”, Varadkar, në ditën e dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, para gazetarëve tha se ishte i kënaqur me thirrjen e BE-së për ndërprerjen e armiqësive në mënyrë që të ofrohet ndihma humanitare në Gaza.

Ai theksoi se ishte i kënaqur me gjuhën e përdorur në deklaratën përfundimtare të samitit të BE-së. “Do të jetë gjithmonë e vështirë të arrihet një kompromis që mund të nënshkruajnë 27 vende me pikëpamje të ndryshme”, tha ai.

Varadkar vuri në dukje se qëndrimi i BE-së po ndryshon me kalimin e kohës.

“Nëse kthehemi dy ose tre javë pas, dukej se BE-ja mbështet Izraelin pa asnjë hezitim. Rreth një javë më parë, kjo ndryshoi nga vazhdimi i mbështetjes së Izraelit për të drejtën e saj për vetëmbrojtje deri në theksimin e rëndësisë së të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të drejtës humanitare. Ndërkaq dje, 27 vende kërkuan pauzë për të lejuar shpërndarjen e ndihmave dhe lirimin e qytetarëve dhe pengjeve. Mendoj se këtu mund të shihni qartë ndryshimin e qëndrimit”, tha ai.

Varadkar potencoi se dënimi i plotë i sulmeve të kryera nga Hamasi është e vetmja çështje për të cilën BE-ja ka qenë e bashkuar që nga dita e parë.

I pyetur nëse qëndrimi i BE-së do të kthehet drejtpërdrejt në thirrje për armëpushim, Varadkar tha se është e mundur, por varet nga zhvillimi i situatës në terren.

Kryeministri irlandez theksoi se konflikti mes Izraelit dhe Palestinës nuk do të përfundojë me zgjidhje ushtarake.

“Historia e këtij konflikti nuk filloi me sulmet e 7 tetorit dhe nuk do të përfundojë me luftën tokësore në Gaza. Kjo nuk do të përfundojë me zgjidhje ushtarake. Një nga gjërat për të cilën të gjithë ramë dakord dje, për të cilën ranë dakord të 27 vendet e BE-së, është se duhet të ketë një zgjidhje me dy shtete dhe ne kemi nevojë për një konferencë paqeje dhe BE-ja duhet të jetë pjesë e saj”, tha Varadkar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne