Stoltenberg: Ka rritje të tensioneve, NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në Bruksel në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s, foli edhe praninë e Aleancës veri-atlantike nëpërmjet misionit të saj KFOR në Kosovë.

“Po ashtu adresojmë edhe praninë tonë në Kosovë. Ne kemi rritje të tensioneve atje, prandaj është e rëndësishme që NATO-ja ka rritur praninë e saj në Kosovë”, tha Stoltenberg, në nisje të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

Stoltenberg, mbajti konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të enjten do të diskutojnë për situatën në Kosovë, pas sulmit nga grupi serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas njoftimit të NATO-s, ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare do të takohen sot dhe nesër në Bruksel, ndërsa më 12 tetor do të diskutohet për Kosovën.

Përveç Kosovës, NATO-ja do të diskutojë edhe për Ukrainën, zhvillimet në Lindjen e Mesme pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe dëmtimin e gazsjellësit në Finlandë. Diskutime do të ketë edhe për forcimin e mëtejmë të mbrojtjes së NATO-s./Shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne