Strategjia për vjeshtën dhe dimrin, Manastirliu: Dyfishohen testimet për COVID-19, shumëfishohen vaksinat falas kundër gripit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ekspertët e shëndetit publik, kanë prezantuar sot strategjinë e testimit, gjurimimit të rritjes së kapaciteteve laboratorike.

Duke theksuar se që nga fillimi i epidemisë është trefishuar numri i testimeve, Manastirliu tha se po zgjerohen akoma më shumë kapacitetet, duke filluar nga muaji Shtator.

“Po bëjmë cdo përpjekje që kemi në dorë, për tju përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë dimër. Struktura jonë kombëtare e testimit duhet të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID19. Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve”, tha Manastirliu.

Në prezantimin e planit të vjeshtë-dimrit për rritjen e kapaciteteve të testimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashtroi fuqizimin e disa elementëve të rritjes së survejancës, testimit, gjurimitt dhe kapaciteteve laboratorike.

“Nga muaji Shtator do të zgjerohen kapacitetet, me pajisje të reja për ekstraktim automatik, sistem të automatizuar për testimin e terrenit, pajisje ftohëse për ruajtjen e mostrave, sistem i integruar për menaxhimin e informacionit në laborator. Jo vetëm do të rrisim kapacitetet në disa laboratorë publikë në vend, por edhe do të rrjetin e laboratorëve COVID-19 në bashkëpunim me sektorin publik dhe privat”, tha Manastirliu.

Duke filluar nga muaji Shtator do të rriten me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren. Si dhe do të shtohet flota e dedikuar e Njësive Lëvizëse për hetimin epidemiologjik në terren. Gjatë prezantimit të masave për vjeshtë-dimrin, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se, qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë financimin për të kryer vaksinimin falas të të gjithë grupeve të rrezikuara me disa herë.

“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën aktuale, Manastirliu tha se Shqipëria vijon të ketë tregues më të qëndrueshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Nëse shohim edhe situatën e dy javëve të fundit, Shqipëria është ndër vendet me numrin më të ulët të rasteve pozitive dhe të fataliteteve në rajon, por këto janë bilance që nuk duhen bërë në mes të luftës. Ajo çka na ka mësuar kjo pandemi është se këto bilance kanë një konstante dhe ajo është përgjigjja e qytetarëve për zbatimin e masave”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Duke theksuar se sistemi shëndetësor po përgatitet me një strategji të përcaktuar, që nga parandalimi, testimi, gjurmi e hetimi epidemiologjik e deri të rritja e kapaciteteve spitalore në përgjigje të situatës së pritshme në vjeshtë – dimër, Ministrja kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të frenuar sa më shumë të jetë e mundur, përhapjen e infeksionit.

Gjatë prezantimit të strategjisë së testimit dhe hetimit epidemiologjik, Ministrja Manastirliu ka vlerësuar mbështetjen e partnerëve të USAID dhe OBSH për sigurimin e 12 Njësive të Lëvizshme që i shtohen kapaciteteve aktuale për gjurmimin, testimin dhe hetimin epidemiologjik, për të frenuar përhapjen e COVID19./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne