Shqiperia

Studentët: Jo negociata me Edi Ramën. Përfaqësia ndodhet në shesh!

Pas takimeve të kryeministrit Edi Rama me studentët në universitete ka reaguar “Lëvizja për Universitetin”. Përmes një postimi në “Facebook” shkruan se studentët do të vijojnë protestën duke marshuar sot drejt Kuvendit.

Studentët bëjnë thirrje se kërkesat e tyre janë të panegociueshme, ndërkohë protestuesit e vërtetë ndodhen në sheshet e qytetit, jo në auditore duke takuar Edi Ramën.

Reagimi:

Bashkohemi sot në fakultete, për të marshuar më tej te Kuvendi, për të kërkuar anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
***
10 dhjetor 2018

Bazuar në deklaratën e kryeministrit Rama, ku studentët u ftuan të negocionin, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin parashtrojnë kërkesat e mëposhtme si të PANEGOCIUESHME:

1. Shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë, si pikënisjen nga ku do mund të rinisë reformimi i vërtetë i jetës universitare, bazuar në lumin e kërkesave të artikuluara nga masa studentore.

2. Dyfishimin e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. Nëpërmjet tij do të siguroheshin: përmirësimi i kushteve të jetesës në konvikte, pasurimi i bibliotekave, zhvillimi i kërkimit shkencor, zgjerimi i mjediseve universitare dhe i stafit akademik etj. etj… lista është e gjatë.

3. Arsim publik falas në të gjitha nivelet si themel i studimit sipas meritës.

4. Reformimin e vërtetë të jetës universitare mbi bazën e parimeve të demokracisë brendauniversitare: krijim i një asambleje universitarësh, të zgjedhur me votë të barabartë studentësh dhe pedagogësh në çdo fakultet universitetesh publike.

Kërkesat e artikuluara nga masa e studentëve nuk duhet të bëhen në asnjë mënyrë objekt negociatash, pikë pas pike. Së pari sepse pikat janë të pafundme.

Së dyti sepse kërkesat duhet të pranohen në bllok nga qeveria! Që të arrihet kjo, NUK KA NEGOCIATA pa anulimin e ligjit në arsimin e lartë dhe rifillimin e një fushate nga universitarët – studentë dhe pedagogë – për hartimin e reformës në arsim.

Lista e kërkesave nuk mund të implementohet pa TË PAKTËN dyfishimin e buxhetit të shtetit për arsimin. Ky dyfishim është i nevojshëm edhe për kërkesën kryesore të artikuluar nga studentët në këto ditë protestash: ARSIM PUBLIK FALAS!

REFORMA E RE në arsim do të rinisë nga vatra e dijes dhe e rezistencës, nga ata që u injoruan tërësisht nga reforma e mëparshme në arsim, nga ata zëri i të cilëve kumboi fuqishëm gjatë ditëve të protestës: STUDENTËT.

Në procesin e reformimit të arsimit do duhet të marrin pjesë edhe pedagogët, fakultet pas fakulteti, nëpër asambletë universitare që do krijohen në universitetet publike.
JO NEGOCIATA! PËRFAQËSIA NDODHET NË SHESH!
Lëvizja Për Universitetin.