Ngulmimi i Agron Shehajt për një interpelancë me ministren e infrastrukturës, Belinda Balluku në lidhje me koncensionin që ajo ka firmosur për rrugën me pagesë Thumanë-Kashar ka acaruar kolegët e tij opozitarë të Partisë Demokratike, të cilët e kanë dhunuar dhe larguar deputetin nga salla, pasi ky qëndroi për më shumë se dy orë në foltoren e kuvendit. Ndëshkimi i parë për deputetin erdhi nga kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali, që e përjashtoi nga punimet e kuvendit dhe e ndërpreu disa herë seancën duke i kërkuar të largohet nga foltorja. Por deputeti qëndroi aty, pa lëvizur, edhe pse seanca ndërpritej dhe rifillonte sërish. Pak minuta pasi e kishte përjashtuar deputetin që kërkonte përgjigje nga Belinda Balluku, Spiropali doli bllof sepse tha se ministrja ishte jashtë vendit për një vizitë, por nuk kaloi as një orë dhe Balluku u shfaq në sallë.
Në profilin e tij në rrjetet sociale, Shehaj ndau një pjesë të debatit në distancë me Belinda Ballukun, të cilës i kërkonte përgjigje për koncensionin Thumanë-Kashar duke i kujtuar se kishte 6 muaj që i shmangej përgjigjeve për projektin që ka kushtuar qindra miliona euro nga taksat.
Por pakënaqësitë e ministrave të Ramës u përcollën shumë shpejt në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. Disa herë, ndërsa mbanin fjalime ata i kërkuan të largohej nga foltorja dhe të gjente një mënyrë tjetër proteste. Kur deputeti nuk u largua, në mënyrë të çuditshme nisën sulmet nga opozita.
Pas dy orësh në foltoren e Kuvendit, ai mori kritika dhe sulme të vazhdueshme nga Gazment Bardhi siç duket nga një video e filmuar nga socialistët, që nisën të fërkojnë duart për atë që ndodhte në anën tjetër të sallës. Sipas Bardhit, ngulmimi për t’i marrë përgjigje Ballukut ishte një shërbim që po i bëhej Erjon Veliajt. Në përgjigje, Agron Shehaj i kujtoi Gazment Bardhit rrahjen e simpatizantëve të Partisë Demokratike në 8 janar të 2023. Situata u agravua kur në foltore i erdhi radha të fliste Flamur Nokës. Në fillim ai e shtyu Shehajn duke e larguar nga foltorja. Kur pa se deputeti nuk kishte ndërmend të largohej, e akuzoi se po keqpërdorej nga Erjon Veliaj dhe Ëngjëll Agaçi. Pretendimet e deputetëve të Partisë Demokratike ngrihen mbi një çarje mes klaneve brenda Partisë Socialiste dhe qëndron Erjon Veliaj në njërën anë dhe Belinda Balluku në anën tjetër.
“Atë që nuk e bëri garda, e bëri Flamur Noka. Erdhi dhe më largoi me dhunë” dëgjohet të thotë Agron Shehaj, që më pas sulmohet nga Noka. Video më poshtë:
Në sfond të videos dëgjohen sharjet dhe ofendimet nga Gazment Bardhi që e quan “zhele të Erjon Veliajt”, ndërsa Agron Shehaj përsërit se “atë që nuk bëri mazhoranca e bëri një përfaqësues i opozitës”. Deri në atë moment, socialistët nuk kishin lëvizur. Edhe pse ishin të pakënaqur nga protesta e Agron Shehajt, asnjë prej tyre nuk ngriti dorë, duke e lejuar të protestojë. Dhuna fizike i erdhi nga ish-kolegët e PD-së, që i kërkuan më tej të linte sallën.
Kjo ndërhyrje e dhunshme, i mundësoi Belinda Ballukut të vazhdonte të ndiqte e qetë seancën, edhe pse ka muaj që nuk përgjigjet për koncensionin Thumanë-Kashar./Lapsi.al