Rajoni

Supremja ia jep mundësinë e fundit Nismës për Kuvend

Me vërtetimin e vendimit të PZAP-it për t’i anuluar votat e Serbisë Gjykata Supreme ia ka garantuar koalicionit Nisma – AKR – PD që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kësisoj, përfundimisht Vetëvendosja do t’i ketë 29 deputetë, LDK-ja 28 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, AAK- PSD-ja 13 deputetë dhe Nisma – AKR – PD-ja 6 deputetë, gjë që do ta ndërrojë edhe natyrën e kalkulimeve për koalicionin e ardhshëm qeverisës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e tre kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Halitit, Arta Bajralijës dhe Alban Hysenit, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili urdhëronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve t’i heqë nga rezultati përfundimtar mbi 3 mijë votat e ardhura nga Serbia.

Heqja e këtyre votave nga rezultati i shpallur prej KQZ-së më 7 nëntor ia mundëson koalicionit Nisma – AKR – PD ta kalojë pragun prej 5 për qind dhe të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Sipas rezultateve aktuale pas këtij vendimi, Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohet me 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës me 28 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, koalicioni AAK – PSD me 13 deputetë, ndërsa koalicioni Nisma – AKR – PD do t’i ketë 6 deputetë në legjislaturën e shtatë.

Në linjë me këtë do të ndryshojë edhe natyra e koalicioneve që do ta bëjnë qeverinë e ardhshme. Dy partnerët potencialë për krijimin e koalicionit qeverisës LVV – LDK, tash do të kenë vështirësi të tjera në arritjen e marrëveshjes./mesazhi

OPINIONE