Sveçla: Ka mbaruar koha kur veriu kontrollohej nga strukturat kriminale të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë identifikuar dy vendndodhje, në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe video nga operacioni policor, ka thënë se mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Republikën tonë do t’i luftojmë me çdo kusht.

“Sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla, raportojnë mediat e Kosovës.

Ai më tej ka thënë se “koha e kontrollit të veriut të vendit tonë nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë ka përfunduar”. “Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë si çdo kund në Republikën tonë”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar në Mitrovicë një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, për të cilin dyshohet se ka spiunuar për autoritetet se sigurisë së Serbisë./Bw

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne