Tajlandë: Marinsat amerikanë pinë gjakun e gjarprinjve kobra në stërvitjen amerikano-tajlandeze

CHON BURI, Tajlandë: Marinsat amerikanë dhe tajlandezë hëngrën akrepa dhe pinë gjak gjarprinjsh të hënën, gjatë një programi të mbijetesës në xhungël, pjesë e stërvitjes të përbashkët vjetore “Kobra e artë”.

Në vitin e saj të 37-të, Kobra e artë është një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake në Azi, e cila sjell mijëra trupa nga Shtetet e Bashkuara, Tajlanda dhe vende të tjera për 10 ditë trajnim në terren në brigjet e Tajlandës.

Të hënën, shumë marinsa amerikanë dhe tajlandezë hynë në xhungël, afër një baze të marinës në provincën Chonburi, dhe gjatë stërvitjes së mbijetesës në xhungël, ushtaret filluan të pinin gjak kobrash përpara se ti piqnin dhe ti hanin gjarpërinjtë.

Trajnuesit ushtarakë të Tailandës, gjithashtu e mësuan grupin që përfshinte edhe trupa të Koresë së Jugut, se si ta hiqnin helmin nga akrepat dhe merimangat para se ti hanin, si të gjenin ujë në bimët kacavjerrëse në xhungël dhe si ti njihnin bimët e ngrënshme.

“Çelësi i mbijetesës është të dish se çfarë të hash”, tha ushtaraku tajlandez, Chaiwat Ladsin, drejtuesi i stërvitjes, në të cilën u panë edhe marinsa që hëngrën hardhuca të gjalla.

“Ska dyshim që kjo është hera e parë për mua që pi gjak gjarpri … Nuk është diçka që e bëjmë shumë shpesh në Amerikë,” tha rreshteri amerikan Christopher Fiffie për AFP.

“Unë mendoj se do të jem në gjendje të mbijetoj”, shtoi ai. “Më kryesorja ishte se si të siguroje ujë dhe të njihje bimët e ngrënshme”.

Këtë vit stërvitja luftarake Kobra e artë tërhoqi rreth 6,800 ushtarë amerikanë, gati dyfishi i pjesëmarrjes së vitit të kaluar, një shenjë treguese e marrëdhënieve të ngrohta mes dy aleatëve.

Një grusht shteti ushtarak i vitit 2014 në Tajlandë i vuri në provë lidhjet me Uashingtonin, periudhë në të cilën SHBA kërkoi rikthimin e demokracisë dhe largimin e ushtrisë.

Dy vendet i kanë forcuar mardhëniet e tyre nën presidencën amerikane të Donald Trumpit, i cili ka mbajtur një qëndrim më të butë për çështjet e të drejtave të njeriut, madje edhe ka pritur kreun e juntës ushtarake Prayut Chan-O-Cha në Shtëpinë e Bardhë.

SHBA po ashtu është e prirur që të tregojë muskujt ushtarakë në Azi mes tensioneve me Korenë e Veriut mbi programin e raketave bërthamore.

“Pjesëmarrja reflekton angazhimin amerikan në rajon,” tha në fillim të stërvitjes për AFP, zëdhënësi i ambasadës amerikane Stephane Castonguay.

“Qëllimi kyesor i kësaj stërvitjeje, përveç projekteve të marrëdhënieve me komunitetin, mbetet ende fokusimi tek ndihmat humanitare dhe ndihmat gjatë fatkeqësive natyrore”.

Në stërvitjen e ketij viti gjithashtu morën pjesë edhe trupa nga Indonezia, Japonia, Malajzia, Koreja e Jugut dhe Singapori./nation/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne