Deklaratat e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kanë ngjallur reagime të forta, pasi ai i cilësoi disa nga protestuesit si “elementë terroristë” dhe pretendoi se organizatorë të akteve të dhunshme janë persona me lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla shprehu solidaritet me katër efektivët e Policisë së Shtetit të plagosur gjatë protestës dhe i bëri thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga dhuna.
Megjithatë, deklaratat e tij po kritikohen në rrjetet sociale, ku shumë i konsiderojnë si një përshkallëzim të retorikës së përdorur prej kohësh nga mazhoranca ndaj protestuesve. Në vend që të trajtohen shkaqet e pakënaqësisë qytetare dhe të kërkohet dialog, protestuesit vijojnë të etiketohen me akuza gjithnjë e më të rënda.
“Fillimisht u quajtën agjentë, më pas mercenarë, ndërsa tani po cilësohen edhe terroristë”, është një nga komentet që po qarkullon gjerësisht pas deklaratave të Ballës. Kjo gjuhë e tillë politike rrezikon të thellojë përplasjet dhe të shtojë tensionet, në vend që të ndihmojë në qetësimin e situatës.
Nga ana tjetër, Balla këmbënguli se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe se autorët duhet të përballen me drejtësinë. Ai deklaroi se “gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit” dhe se askush nuk mund të ngrejë dorë ndaj efektivëve pa u përballur me ligjin.
Deklaratat e Ballës vijojnë të jenë në qendër të debatit politik, ndërsa opozita dhe mbështetësit e protestës kanë kundërshtuar etiketimet e përdorura ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si retorikë politike dhe jo si një mënyrë për të adresuar problemet që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë./gazetaimpakt
















