Tavo apo Gjikuria, Himara zgjedh sot Kryebashkiakun e ri

Himara zgjedh sot Kryetarin e ri të Bashkisë, ndërsa në garë janë Vangjel Tavo nga PS dhe Petro Gjikuria, i mbështetur nga PD dhe partitë të tjera opozitare.

Zgjedhjet për Kryebashkiak të Himarës zhvillohen pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e mbajtura më 14 maj të 2023-it, ku Fredi Beleri, rezultoi fitues i procesit, por nuk arriti të ushtronte detyrën pasi dy ditë para zgjedhjeve u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Pavarësisht betejës ligjore, Beleri u dënua me dy vjet heqje lirie, duke humbur kështu mandatin, ndërsa sot rreth 23 mijë zgjedhës me të drejtë vote në Himarë do të zgjedhin një prej kandidatëve, Gjikurisë ose Tavos.

Himara prej vitit 2000 ka prodhuar vazhdimisht tensione dhe debate, veçanërisht mes Tiranës zyrtare dhe qarqeve të caktuara në Greqi, që e trajtojnë bashkinë e vogël në jug të vendit si një bashki minoritare.

Në 2003 dhe 2007, demokratët dhe socialistët janë bërë bashkë kundër kandidatëve të propozuar në atë kohë nga PBDNJ, për shkak se figurat e përzgjedhur nga kjo parti konsideroheshin si ekstremistë dhe me lidhje me qarqet e ekstremeve në Greqi.

Procesi i votimit në Himarë nis në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Gjatë fushatës disa ditore zgjedhore nga kandidatët ka pasur pretendime lidhur me zhvendosjen e votuesve drejt Himarës.

ZGJEDHJET SOT

Në Himarë ka nisur proçesi i votimit, ndërsa 23 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakun e ri, mes Petro Gjikurias të mbështetur nga opozita dhe Vangjel Tavos, kandidatit të PS-së.

Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar bën të ditur se ka dorëzuar objektet e përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme.

Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

“Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.

Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë”, njoftoi Policia./Bw 

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne