Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Kosovë

 

Av. Faik MIFTARI

Në Republikën e Kosovës të  drejtat e njeriut të çdo individi janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, konventat ndërkombëtare dhe ligjet  sipas drejtës pozitive  në fuqi në Kosovë. Në kapitullin I të dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës  në kuptim të  nenit 1 par. 2  është garantuar respektimi  i drejtave dhe lirive  të qytetarëve në Republikën e Kosovës.

 

Me kapitullin e II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës garantohet mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut duke u nisur nga parimet e përgjithshme  sipas së cilës jo vetëm që Republika e Kosovës  i mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut porse  çdo qytetar  ka për detyrë t’i respektojë këto të drejta të përcaktuara, gjer te mbrojtja e drejtave dhe lirive themelore edhe gjatë  shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme  në Kosovë.

 

Duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës,  shumë ligje dhe akte nënligjore në fuqi në Kosovë  në mënyrë të detajuar  i rregullojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në fushat e ndryshme, si p.sh. në sistemin arsimor, shëndetësor, social, penal, punës, etj.

 

Përveç kësaj me nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të drejtat dhe liritë themelore të njeriut  janë të garantuara edhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare si në vijim, të cilat garantohen me këtë  Kushtetutë dhe zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës si dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike në Republikën e Kosovës: (1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; (2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj; (3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj; (4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; (5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor; (6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas; (7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës; (8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.

 

Ndërsa sipas nenit 53 të Kushtetutës së Republikës së  Kosovës të drejtat e njeriut  dhe liritë themelore të garantuara interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg.

 

 

Liritë dhe të drejtat e njeriut të specifikuara sipas nenit 56 paragrafi 2 në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohen, bile edhe gjatë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore nuk është lejuar:

2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”.

 

Në këto të drejta të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohen, ndryshe quhen si drejta absolute të mbrojtura, bëjnë pjesë përveç tjerash, dinjiteti i njeriut si dhe barazia para ligjit e cila parasheh ndalimin e diskriminimit mbi çfarëdo baze : 

 

            Neni 23.” Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.

 

          Neni 24. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”.

 

Për zbatimin e legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës, dhe konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Republika e Kosovës  përgjegjësia bie mbi tërë sistemin e pushtetit shtetëror, me theks të posaçëm sidomos  të rolit të  gjykatave në mbrojtjen e lirive dhe drejtave njerëzore të cilët apriori  duhet të gjykojnë në bazë të Kushtetutës së Kosovës, konventave ndërkombëtare, ligjeve në fuqi dhe akteve tjera nënligjore  si burim i së drejtës pozitive në Kosovë.

 

Në përfundim të kësaj do të shtoja  se të drejtat themelore të njeriut dhe liria e njeriut  nuk mund të jenë çështje e një mbivotimi në parlament  nga deputetët apo çështje e referendumit  në  të cilin qytetarët do të mund të përcaktohen. Të  drejtat  dhe liritë themelore të njeriut  kanë karakter  individual, e jo karakter kolektiv, dhe si të tilla nuk mund të shfuqizohen, shkelen apo kufizohen me çfarëdo shumice  të votimit të deputetëve në Parlamentin e Republikës së Kosovës, apo çfarëdo rezultati që del në ndonjë  referendum eventual të votimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës për kufizimin e drejtave themelore të njeriut.

19.08.2021                                                     

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne