Murat Yetkin
Gjithçka që do të bëj është të listoj një numër zhvillimesh të raportuara në mediat turke gjatë dy ditëve të fundit. Do të filloj me rastin më të fundit që demonstron gjendjen në të cilën ndodhet Turqia:
• Ministri i Sporteve, Xhagatai Këllëç, paralajmëroi fuqishëm Gallatasarain, një nga klubet më të shquara të futbollit turk, që të rishikojë vendimin e kongresit të tij më 25 mars për të mos dëbuar dy nga ish-lojtarët e tij kryesorë nga anëtarësimi në klub. Delegatët e Gallatasarait përfunduan anëtarësimin e disa ish-zyrtarëve qeveritarë që janë nën hetime ose që kanë marrë mandat-arreste, për shkak të lidhjeve të tyre me rrjetin e Fethullah Gylenit, i cili akuzohet për organizimin e përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik 2016. Por delegatët votuan gjithashtu për të mbajtur dy ish-lojtarët e ekipit kombëtar, Hakan Sukur dhe Arif Erdem, të cilët janë haptazi admirues të Gylenit. Delegatët e Gallatasarait thanë se të dy ishin pjesë e klubit, pavarësisht nga qëndrimet e tyre politike, gjë që e ka bërë klubin objektiv të qeverisë.
• Pas Agjensisë gjermane të Inteligjencës së Jashtme, një komision parlamentar britanik po ashtu ka deklaruar se qeveria turke nuk mund ta bindë atë që rrjeti sekret i Gylenit fshihej pas përpjekjes për grusht shteti. Për më tepër, ndërsa autoritetet në SHBA nuk janë duke e thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë se gylenistët nuk kishin të bënin me grushtin e shtetit, ata janë duke pretenduar se qeveria turke nuk ka qenë në gjendje për t’i bindur ata.
• Turqia është një anëtar i rëndësishëm i NATO-s, dhe me krenari thotë se ka ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë. Megjithatë, SHBA-ja – anëtari më i fuqishëm i NATO-s dhe gjithashtu aleati më i madh ushtarak i Turqisë – ka zgjedhur një grup militant siriano-kurd, Njësitë Popullore të Mbrojtjes (YPG), në luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL). Kjo pavarësisht nga fakti që Presidenti turk Erdogan ka paralajmëruar ish-presidentët e SHBA-së, bashkë me presidentin në detyrë, se YPG është dega siriane e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është përcaktuar si një organizatë terroriste edhe nga Uashingtoni. Përkundër këtyre paralajmërimeve, së fundmi është raportuar se SHBA u ka bërë trajnime militantëve të YPG-së, të cilët ndajnë të njëjtat burime njerëzore si PKK.
• Nuk është vetëm SHBA-ja. Edhe rivali i NATO-s, Presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka marrë parasysh paralajmërimet e Erdoganit në lidhje me YPG-në dhe krahun e vet politik, Partinë Bashkimi Demokratik (PYD). Rusia i dha mbështetje operacionit Mburoja e Eufratit të Turqisë në Siri, për aq kohë sa synonte ISIS-in, por i dha mbrojtje YPG-së (ashtu si SHBA-ja) përkundrejt paralajmërimeve të qeverisë turke. Rusia, e cila është favorizuar nga Erdogani në projekte të mëdha energjetike dhe që ka ndikim në të ardhurat e turizmit të Turqisë, dëshiron gjithashtu që PYD të luajë një rol në bisedimet e Gjenevës dhe thotë se mund të ketë autonomi në një zgjidhje të ardhshme në Siri. Për më tepër, Rusia ende nuk ka dërguar një ambasador të ri në Ankara pasi Andrey Karlov u vra në dhjetor të vitit 2016.
• Përkundrejt një proteste nga qeveria turke, qeveritë anëtare të BE-së nuk i kanë lejuar ministrat e kabinetit turk të kryejnë fushatën “po” për referendum midis popullsive me origjinë turke në Evropë. Në raste të caktuara, si në Hollandë, trajtimi që ministrat turq dhe zyrtarët e qeverisë kanë marrë ishte i papranueshëm dhe poshtërues. Në të njëjtën kohë, organizatat e PKK-së nuk kanë pasur aspak vështirësi në organizimin e protestave masive me lidhje live me selinë e tyre në malet Kandil të Irakut. Kjo gjendje e shqetëson qeverinë turke dhe shumicën e popullit turk. Qeveritë evropiane duket se janë duke e lejuar këtë gjë në mënyrë që të japin një mesazh negativ për vendimin e Partisë së Turqisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), dhe jo si shprehje të mbështetjes për një Kurdistan të pavarur apo për aktet terroriste të PKK-së.
• Ndërsa dënonte standartet e dyfishta evropiane duke thënë se “Në qoftë se ju vazhdoni të më quani mua diktator, unë do të vazhdoj t’ju quaj juve nazistë dhe fashistë”, Erdogan është zotuar gjithashtu për të mbajtur një tjetër referendum nëse ai fiton atë të 16 prillit për të konsoliduar pushtetin ekzekutiv në duart presidenciale. Referendumi i dytë do të jetë për të pyetur publikun nëse do të tërheqë kërkesën e anëtarësimit të Turqisë në BE. Kjo do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm, pasi që të bëhet një anëtar i BE-së është i vetmi objektiv strategjik i Republikës Turke, i miratuar me një shumicë të konsiderueshme në parlament, nën titullin e “Programit Kombëtar.” Gjysma e eksporteve të Turqisë dërgohen në vendet anëtare të BE-së , ndërsa rreth pesë milionë qytetarë turq jetojnë në Evropë.
• Erdogani ka sfiduar edhe Këshillin e Evropës mbi kritikat e tij për gjendjen e sundimit të ligjit në Turqi, për gjykatat, lirinë e medias dhe referendumin që do të mbahet nën një gjendje të jashtëzakonshme. Ankaraja është një nga anëtarët themelues të Këshillit të Evropës dhe vetëm disa vite më parë ministri i jashtëm aktual Mevlut Çavushollu ishte kryetari i Asamblesë Parlamentare të saj, e cila këto ditë diskuton rënien e cilësisë së demokracisë në Turqi.
• Turqia është ende nën një gjendje të jashtëzakonshme, e deklaruar menjëherë pas përpjekjes së 15 korrikut për grusht shteti. Pas paralajmërimeve nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës, qeveria ngriti një komision ligjor për të pritur ankesat mbi arrestimet e zgjatura dhe masive pa gjyq. Megjithatë, ka pasur largime masive nga zyrat publike – duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe policinë – në mes të hetimeve të dhjetëra e mijëra ndjekësve të Gylenit të vendosur në poste publike me anë të provimeve të manipuluara, kryesisht gjatë qeverisjes së Partisë AK. Gjendja e jashtëzakonshme gjithashtu i jep qeverisë kompetenca për të konfiskuar pasuritë e kompanive private, nëse pronarët e tyre, aksionerët ose menaxherët janë nën dyshimin për “terrorizëm”, meqë sipas ligjit emergjent kuadri i aktiviteteve terroriste është zgjeruar.
• Opozita social demokrate, Partia Popullore Republikane (CHP) e ka sjellë incidentin e fundit në Dijarbakir më 21 mars në vëmendjen e parlamentit. Në këtë incident, studenti i universitetit Kemal Kurkut u qëllua për vdekje nga policët pasi u përpoq të hynte në një zonë demonstrate me një thikë. Policia tha se ai mund të ishte duke mbajtur një bombë, por pamjet e incidentit në mediat sociale treguan se ai kishte qenë i zhveshur nga rrobat e tij e sipërme; pra, mund të shihet se ai nuk mbante asnjë bombë, kështu që ai mund të arrestohej i gjallë ose të plagosej. Dy policët nuk janë arrestuar nga gjykata, dhe deri më tani kanë marrë vetëm masa disiplinore.
• Duke kritikuar raportet për gazetarët dhe shkrimtarët e arrestuar brenda dhe jashtë Turqisë, Presidenti Erdogan tha se të gjithë 149 emrat e përballur me akuza për terrorizëm nuk u burgosën për atë që kanë shkruar ose thënë. Megjithatë, është kthyer në një praktikë të zakonshme të arrestohen gazetarë, shkrimtarë dhe redaktorë për akuza “terrorizmi”. Për shembull, Kadri Gürsel, kreu i filialit turk të Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), është arrestuar 142 ditë më parë së bashku me nëntë kolegë të tjerë nga e përditshmja e majtë Cumhuriyet, mbi akuzat e ”ndihmimit” të dy organizatave ilegale: PKK-së dhe Organizatës Terroriste Fethullahiste (feto). Ata ende nuk janë shfaqur në gjykatë.
• Ministrisë së Jashtme turke i kanë shkuar javët e fundit ose duke thirrur diplomatët e vendeve të tjera në shenjë proteste, ose duke iu thirrur diplomatët e vet nga këto vende. Industrialistët turq janë duke u përpjekur të bindin investitorët e huaj – veçanërisht nga perëndimi, pasi ka pak problem me vende si Katari dhe Kuvajti – se atmosfera politike dhe gjyqësore nuk do të ndikojë në investimet e tyre potenciale në Turqi.
• Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kohët e fundit lëshoi një thirrje publike për Erdoganin, duke kërkuar lirimin e gazetarit turko-gjerman Deniz Yucel, i cili është nën arrest për “ndihmim të propagandës së PKK-së.” Steinmeier i kërkoi gjithashtu Erdoganit që të mos i armiqësonte marrëdhëniet edhe më tej, duke pretenduar se Erdogani po rrezikon atë që Turqia ka ndërtuar deri tani. Kjo u pasua nga një deklaratë nga Anxhela Merkel, e cila tha se nuk do të bënte ndonjë vërejtje për marrëdhëniet e Turqisë me BE-në deri pas referendumit të prillit 16.
I janë dashur 13 vjet opozitës kryesore CHP që të kuptojë se mënyra më e mirë për t’u përballuar me Erdoganin është shmangia e antagonizmit me të. Kreu i CHP-së, Kemal Kiliçdarollu ka kryer një fushatë referendumi që shmang shënjestrimin direkt të presidentit dhe nuk përgjigjet ndaj sulmeve (shpesh shumë personale) nga Erdogani dhe kryeministri Binali Jëlldërëm kundër vetvetes. “Ai nuk mund t’u bërtasë amerikanëve dhe rusëve, kështu që më bërtet mua”, ka thënë së fundmi kreu i CHP-së në një intervistë me të përditshmen Hürriyet.
Mund t’i jenë dashur tre muaj BE-së për të kuptuar këtë parim kufizimi, kur është fjala për Erdoganin. / © Gazeta Impakt
Burimi: Hurriyet