Tensionet në Liban, OKB: Janë larguar nga territori më shumë se 30.000 persona

Më shumë se 30.000 persona, shumica sirianë, janë larguar nga Libani në Siri në 72 orët e fundit, tha agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara më 27 shtator, teksa konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut i cili është grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor po intensifikohet.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Afër 80 për qind e personave që po e kalojnë kufirin ishin sirianë dhe afër 20 për qind ishin libanezë, tha Gonzalo Vargas Llosa, përfaqësuesi i UNHCR-së në Siri. Pothuajse gjysma ishin fëmijë dhe adoleshentë, ndërkaq numri i burrave që kaluan kufirin ishte i vogël, tha ai.

“Ata po kalojnë nga një shtet që është në luftë, në një tjetër që po përballet me një konflikt që 13 vjet”, tha Vargas Llosa gjatë një konference për media në Gjenevë.

Ai tha se UNHCR-ja po punon me Qeverinë siriane dhe partnerët për të përshpejtuar procesin e pranimit të tyre, se Siria po i lejon shtetasit libanezë të hyjnë në shtet, dhe se ata mund të qëndrojnë në shtet nëse kanë një dokument të identifikimit. Libani është shtëpi e afër 1.5 milion sirianëve që ishin larguar nga lufta civile në shtetin e tyre.

Konflikti mes forcave izraelite dhe Hezbollahut është intensifikuar së fundi, teksa qindra persona janë vrarë në Liban nga sulmet ajrore izraelite. Në total, më shumë se 200.000 persona në Liban janë zhvendosur nga konflikti, sipas OKB-së./REL

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne