Tetovë, tubim në solidaritet me fëmijët e Rripit të Gazës

Nën sloganin “Nga Tetova në Gaza: Vajtim për djepat e zbrazët”, në sheshin e qytetit të Tetovës janë tubuar dhjetëra qytetarë, përfshirë fëmijë, për të shprehur solidaritet me palestinezët e Rripit të Gazës të cilët po vuajnë brutalitetin izraelit që nga tetori i vitit të kaluar, raporton Anadolu.

Aktiviteti u organizua nga Shoqata Alaca, e cila në formë të improvizuar me vendosjen e djepave, veshjeve dhe lojërave për fëmijë në një hartë të Palestinës të krijuar me një çarçaf të gjakosur tregonte vuajtjet e fëmijëve palestinezë.

Kryetarja e Shoqatës Alaca nga Tetova, Şükriye Kahya, tha se përmes këtij aktiviteti synojnë që t’i tregojnë Tetovës vuajtjet e fëmijëve palestinezë në Gaza.

“Derisa në gjithë botën po ngrihet zëri, ne thamë që edhe Tetova nuk duhet të heshtë dhe së bashku me fëmijët në Tetovë deshëm që ta ngremë zërin për fëmijët e Gazë”, tha Kahya

Në këtë aktivitet do të mbahet edhe një panel lidhur me çështjen palestineze dhe luftën izraelitë që po ndodh në Gaza. Në panel do të flasin edhe mysafirë nga Türkiye, si Tülay Gökçimen, aktiviste për të drejtat e njeriut, dhe Emine Çınar, eksperte për Kudsin.

 

Duke folur me gazetarët para panelit, Gökçimen tha se Palestina gjithmonë ka qenë pjesë e rajoneve për të cilat kanë zhvilluar aktivitete.

 

“E konsideroj si një gjë me vlerë që popullata e Tetovës zhvilloi protestë, me pjesëmarrje edhe të fëmijëve, kundër okupatorëve që kanë kryer gjenocid dhe kanë martirizuar afër 40 mijë njerëz”, tha Gökçimen.

Të paktën 37.800 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 86.800 të tjerë janë plagosur. Më shumë se tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja në mes të një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne